Tërheqja e 10 përqindëshit nga qytetarët në Trust ndikoi direkt në tkurrjen e aseteve të njërit prej institucioneve më të rëndësishme të sektorit financiar në Kosovë.
Asetet e Trustit gjatë tremujorit të fundit të 2020-s, kur edhe u mundësua tërheqja e kursimeve pensionale të qytetarëve, u zvogëluan për 78.9 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas të dhënave nga BQK-ja, që dalin nga raporti më i fundit i saj rreth “Vlerësimit Tremujor të Sistemit Financiar, Tremujori IV/2020”, si rrjedhojë e tërheqjes së mjeteve nga kontributdhënësit në nivel prej 10 përqind, asetet e sektorit pensional kishin shënuar rritje vjetore prej vetëm 1.2 përqind në dhjetorin e 2020-s, duke arritur kështu vlerën prej 2.0 miliardë eurove.
Ndonëse tkurrjet e aseteve u neutralizuan deri në një masë nga kontributet e arkëtuara dhe kthimi pozitiv në investime, kategoria e mjeteve të deponuara në sektorin bankar është tkurrur për 54.5 milionë euro në këtë tremujor, thonë nga BQK-ja.
Sektori pensional në anën tjetër, si sektori i dytë për nga pesha në sistemin financiar, përbën 25.3 përqind të gjithsej aseteve të sistemit financiar në vend.
Ndryshe, asetet e sektorit pensional përbëhen 99.6 përqind nga asetet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) dhe vetëm 0.4 përqind nga asetet e Fondit SllovenoKosovar të Pensioneve (FSKP).
Rreth 68.0 përqind e mjeteve të FKPK-së janë të mbajtura jashtë vendit, apo rreth 1.35 miliardë euro të alokuara në fonde të përbashkëta investuese. Pjesa e mbetur e mjeteve të investuara brenda vendit 32.0 përqind, janë rritur për 7.2 pikë përqindje kundrejt tremujorit të njëjtë të vitit paraprak.
Ndërkohë, deri në fund të dhjetorit 2020, vlera e investimeve brenda vendit kishte arritur në 637.7 milionë euro, ku pjesa më e madhe e këtyre mjeteve ishin të investuara në fletëobligacione dhe bono të thesarit të Qeverisës së Kosovës, të cilat vetëm gjatë TM4 2020 janë rritur për 18.5 milionë euro.
“Paraja e mbajtur në Bankën Qendrore të Kosovës ka shënuar rritje për 12.2 milionë euro gjatë TM4 2020”, thuhet në raport.
Po ashtu edhe asetet e Fondit SllovenoKosovar të Pensioneve (FSKP), gjatë TM4 2020 u rritën për 352.9 mijë euro, prej të cilave pjesa më e madhe ishin investime në sektorin e brendshëm.
Sipas BQK-së, gjatë TM2 dhe TM3 2020, FSKP-ja rikuperoi në masë të madhe humbjet nga investimet të shënuara gjatë TM1 2020 (-910.0 mijë euro). Kurse deri në fund të dhjetorit 2020, sektori arriti të realizoj kthim bruto në investime në vlerë prej 388.8 mijë euro. Vetëm gjatë TM4 2020 sektori kishte realizuar kthim bruto në investime në vlerë prej 449.8 mijë euro, krahasuar me 269.0 mijë euro gjatë TM4 2019.
Ndërsa, vlera e arkëtimeve të reja nga kontributdhënësit gjatë TM4 2020 arriti në 162.0 mijë euro, në krahasim me 153.0 mijë euro në TM4 2019. Në këtë tremujor, kontributet e arkëtuara të FKPK-së u shtuan në vlerë prej 58.7 milionë euro, një rritje për 17.1 përqind krahas periudhës së njëjtë të vitit paraprak.
“Pas humbjeve të konsiderueshme që FKPK kishte nga investimet jashtë vendit në TM1 2020 (-90.4 milionë euro), tregjet financiare filluan rikuperimin dhe FKPK arriti të realizoj fitim rekord prej 70.3 milionë euro vetëm gjatë TM2 2020, 32.7 milionë euro në TM3 dhe 59.3 milionë euro në TM4. Andaj FKPK vitin 2020 e mbylli me rezultat të konsiderueshëm pozitiv, përkatësisht kthim bruto nga investimet në vlerë prej 71.9 milionë euro”, përfundon raporti./Buletini Ekonomik/