Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Indeksi Glass Ceiling (GCI) tregon se gratë janë ende në disavantazh krahasuar me homologët meshkuj në pozicione drejtuese, duke përbërë mesatarisht vetëm një të tretën në postet drejtuese të vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
GCI, i cili kombinon të dhënat mbi arsimin e lartë, pjesëmarrjen në forcën e punës, pagën, shpenzimet për kujdesin ndaj fëmijëve, të drejtat për prindësim, aplikimet në shkollat e biznesit dhe përfaqësimin në punët e nivelit të lartë për të krijuar renditjen në 29 vendet e OECD-së, tregon se Suedia është vendi më i mirë për të punuar për gratë, ndjekur nga fqinjët nordikë – Islanda, Finlanda dhe Norvegjia, përcjell Telegrafi.
Vendet skandinave janë veçanërisht të afta të ndihmojnë gratë të përfundojnë universitetin, të sigurojnë një punë dhe të arrijnë pozicione të nivelit të lartë si dhe t’u gëzohen sistemeve cilësore të lejeve prindërore dhe orareve fleksibël të punës.
Koreja e Jugut renditet në fund të indeksit për të nëntin vit radhazi, me Japoninë dhe Turqinë jo shumë pas. Normat sociale në Azi presin ende që gratë të zgjedhin midis të pasurit një familje ose karriere.
Sipas analizës që shoqëron këtë vit indeksin GCI është bërë progres në Amerikë, ku 41 për qind e drejtuesve janë gra dhe 28 për qind e anëtarëve të bordit drejtues janë femra. Kjo dëshmohet pjesërisht nga gratë që kanë marrë role drejtuese në kompani të ndryshme amerikane vitin e fundit, duke përfshirë Citigroup, UPS, Walgreens and TIAA.
Gjetje e GCI-së
Shtetet e Bashkuara janë ngjitur me katër pozicione në indeks krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë që përqindja e grave në role drejtuese dhe borde drejtuese është më e lartë se mesatarja, mbetet në vendnumëro nën mesataren e vendeve të OECD, pa leje prindërore me mandat federal.
Britania e Madhe është përmirësuar me tre pikë në indeksin e këtij viti; kuota e grave në pozicione të nivelit të lartë është rreth një e treta.
Gjermania ka zbritur në klasifikim krahasuar me vitin e kaluar në vendin e 22-të. Gratë gjermane zënë vetëm 29 për qind të roleve drejtuese dhe vetëm një të katërtën e pozicioneve në bordet drejtuese.
Franca renditet në vendin e pestë në GCI, njësoj si vitin e kaluar, por renditet e dyta me përqindjen më të lartë të grave në bordet drejtuese, pas Islandës.
15 vendet më të mira
1. Suedi
2. Islandë
3. Finlandë
4. Norvegji
5. Francë
6. Danimarkë
7. Portugali
8. Belgjikë
9. Zelandë e Re
10. Poloni
11. Kanada
12. Sllovaki
13. Itali
14. Hungari
15. Spanjë