Veriu i Shqipërisë, rajoni më i varfër i Europës, sipas Eurostat

Zonat e veriut të Shqipërisë janë më të varfrat në Europë, sipas një publikimi të fundit të prodhimit për frymë rajonal të Eurostat, me të dhëna që i referohen vitit 2018 dhe 2019.

Sipas Eurostat, në vitin 2018, Veriu i Shqipërisë kishte të ardhura për frymë prej 3600 eurosh, nga 4500 euro që është mesatarja e vendit tonë.

Edhe jugu i vendi sërish është në nivele të ulëta prej 4000 euro për frymë, sipas Eurostat. Në nivele të ngjashme janë disa rajone të Turqisë dhe të Serbisë.

Reklama e sponzorizuar

Vetëm në qendër, të ardhurat janë pak më të larta, duke arritur në 5,400 euro për frymë, duke ia kaluar disa rajoneve të Turqisë, Serbisë e Maqedonisë.

Edhe në nivel shteti, (me 4500 euro për frymë nivel mesatar) Shqipëria është e fundit në Europë. Më dobët pas Shqipërisë është Maqedonia (5200 euro), Serbia (6,100 euro), ndërsa kryesimin në rajon e mban Mali i Zi (7500 euro).

Mesatarja e Bashkimit Europan është 31 mijë euro të ardhura për frymë, sipas Eurostat.

Sipas Eurostat, rajonet kryesore në renditjen e PBB-së rajonale për frymë në 2019, pas Luksemburgut (260% të mesatares së BE), jugu i Irlandës (240%), Praga (205%) në Çeki, Brukseli në Belgjikë (202%) si dhe Hamburg (195%) në Gjermani.

PBB-ja e lartë për frymë në këto rajone mund të shpjegohet pjesërisht nga një fluks i lartë i punëtorëve që udhëtojnë (Luksemburg, Pragë, Bruksel dhe Hamburg) ose nga pasuritë e mëdha kapitale të zotëruara nga disa kompani shumëkombëshe me vendbanim në disa rajone (psh Midland në Irlandë) )

Në të kundërt, zona Veri-Perëndimore në Bullgari dhe Mayotte (të dy 32% e mesatares së BE),  janë rajonet më të ulëta në renditje.