​Hajdari deklarohet për kthimin e mundshëm të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është deklaruar sot në lidhje mbi mundësinë e kthimit të masave të reciprocitetit ndaj shtetit të Serbisë.

Ajo ka thënë se autoritetet kosovare fillimisht do të përdorin mekanizmat e CEFTA-s në këtë drejtim, përfshirë edhe një qasje të unifikuar në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

“Jemi në analizën e të gjitha raporteve që kemi me shtetet fqinje të bilancit tregtar. Ne kemi shumë barriera, jo vetëm me Serbinë, por edhe me shtetet tjera fqinje. Ne së pari do t’i përdorim mekanizmat e CEFTA-së. Sot nuk jam këtu për të thënë se do të aplikojmë këtë apo këtë. Jemi për të pasur qasje të unifikuar në bashkëpunim me ndërkombëtarët”, tha Hajdari në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa të reciprocitetit për secilin shtet, përfshirë edhe Serbinë. Nga ekzekutivi kanë thënë më herët se një masë e tillë do të vendoset në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme, të cilat, sipas tyre, shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara.

Për shkak të mospranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në nëntor 2018, Qeveria e atëhershme e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kishte vendosur taksë doganore, fillimisht 10 dhe më pas 100 për qind, ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, njofton KP.

Nga qeveria pasuese, e udhëhequr nga Kurti, më 31 mars, 2020 taksa u shndërrua në reciprocitet me Serbinë, gjë që nxiti kundërshtim në Serbi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkim Evropian. Heqja e kësaj mase ishte vendimi i parë i pasardhësit të Kurtit, Avdullah Hotit, i cili e hoqi reciprocitetin më 6 qershor, gjë që mundësoi rinisjen e dialogut politik mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që ka nisur më 2011 janë arritur një sërë marrëveshjesh, duke filluar nga lëvizja e lirë e njerëzve e mallrave deri te njohja e targave të automjeteve.

Kompanitë e Kosovës jo rrallë herë kanë pasur vështirësi që të transportojnë mallrat e tyre në Serbi, për shkak se autoritetet ose nuk ua kanë njohur targat e automjeteve, por edhe kanë pasur probleme me njohjen e dokumentacionit të mallrave, ku figuron termi “Republika e Kosovës” si dhe vulat e lëshuara nga Kosova.

Qeverisë Kurti 2 i është bërë thirrje nga BE që procesi i dialogut me Serbinë të vazhdojë pa vonesa dhe pa pengesa.