Gjatë periudhës 2010-2019, produktiviteti i punës në Shqipëri është rritur me ritme më të larta se paga minimale.
Kjo do të thotë se bizneset në të gjithë sektorët kanë fituar më shumë nga puna e punonjësve të tyre, por nuk i kanë ndarë këto fitime me kategorinë e punësuarve me rroga minimale.
Raporti global i pagave i formuluar nga Organizata Ndërkombëtare Punës (ILO) vlerëson se në shumicën e vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore pagat ishin rritur më shumë se produktiviteti i punës, ndërsa në disa vende të tjera, më të pakta në numër kishte një sjellje të kundërt.
Sipas të dhënave të paraqitura nga grafiku bashkëngjitur shihet se gjatë dekadës së fundit, produktiviteti i punës në ekonominë shqiptare u rrit me 2.7 për qind, ndërsa paga reale minimale u rrit me vetëm 1.7 për qind.
Kjo ecuri tregon se Shqipëria ka vend për rritje të mëtejshme të pagave. Kur mbështetet në produktivitet rritja e pagave e stimulon më tej rritjen ekonominë nëpërmjet konsumit.
Siç shihet nga grafiku rritjen më të madhe të pagave minimale e ka bërë Uzbekistani me 18 për qind gjatë periudhës në studim, në një kohë që produktiviteti i punës është rritur me 4.8 për qind. Gjithashtu në Rumani pagat minimale u rriten me 12.3 për qind gjatë periudhës 2010-2019, ndërsa produktiviteti i punës me 2.3 për qind. Raporte të ngjashme ndërmjet ecurisë së pagës minimale dhe produktivitetit të punës patën edhe vende të tjera të Europës Lindore si, Bullgaria, Maqedonia, Sllovakia, Hungaria, Bjellorusia, Ukraina, Rusia, Estonia, etj.
Pagat reale minimale dhe produktiviteti u rriten me ritme të ngjashme ne ven, Armeni dhe Turqia.
Por ndërkohë në Bosnjë dhe Gjeorgji, produktiviteti i punës u rrit, ndërkohë që paga minimale reale shënoi rënie (shih grafikun).
ILO raporton se në Europën dhe Azinë Qendrore në periudhën 2010-2019, pagat minimale reale u rritën në 36 vende dhe u ulën në 6 vende.
Shifrat tregojnë 86 për qind e vendeve në rajon rriten pagën minimale reale. Mesatarja vjetore e rritjes varioi nga 0.2 për qind në Holandë në 18.1 për qind në Uzbekistan. Në disa vende pagat reale minimale kanë rënë. Këto ulje variojnë nga një mesatare vjetore prej 2.7 për qind në Gjeorgji në 0.1 për qind në Belgjikë.
Vetëm në 8 vende, ku përfshihet edhe Shqipëria nuk i rriten pagat minimale në përputhje me produktivitetin e punës./ B.Hoxha