Një person në Britaninë e Madhe të martën në mbrëmje fitoi hiç më pak se 59 milionë funte ose 68.4 milionë euro në jackpot-in e lotarisë “EuroMillions”. Ky ishte fitimi i dytë i madh në lotari në Mbretërinë e Bashkuar brenda një muaji.
Prilli ka qenë muaj i mrekullueshëm për britanikët që luajnë në lotari. Më 2 prill, dikush fitoi plot 122 milionë funte me jackpot. Kjo ishte shifra e pestë më e lartë që është dhënë ndonjëherë në lotari kombëtare.
Fituesi i 59 milionë funteve e mori shpërblimin marramendës me numrat 5, 17, 28, 41 dhe 46, bashkë me “yjet me fat”, numrat 10 dhe 11, shkruan The Sun, transmeton Gazeta Express.
Andy Carter, këshilltar për fituesit e shumave të mëdha në Lotarinë Kombëtare, tha: “Çfarë lajmi mahnitës. Një fitues britanik sonte e ka marrë jackpot-in prej 59 milionë funtesh.”
Fituesit e lotarisë mund të nënshkruajnë marrëveshje për publicitet të plotë, nëse dëshirojnë që të publikohen të dhënat rreth tyre. Sidoqoftë, fituesi i 122 milionë funteve ka zgjedhur që të mbetet anonim.
Në mesin e atyre që vendosën të identifikohen publikisht ishin Colin dhe Chris Weir nga Skocia, të cilët në vitin 2011 fituan mbi 161 milionë funte.