Deputeti i VV-së e akuzon për punësimin e dhëndrit, Bashota: Po ma lëndoni reputacionin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visa Korenica ka rikthyer edhe sot temën për punësimin e dhëndrit të kryetarit të Bordit të RTK-së, Salih Bashota në televizionin publik.

Ai e ka pyetur edhe njëherë nëse i qëndron prapa deklaratës së tij se nuk ka asnjë familjar të punësuar.

“Anëtarët e Bordit zakonisht nuk e kanë pagën e privilegjuar sepse në rajon nuk paguhen më shumë se një mesatare që është rreth 500 euro. Kurse bordi i ka caktuar pagat për anëtarët mbi 1000 euro. A i keni konsultuar raportet e të dhënat se si është e rregulluar kjo në rajon. Dhe në bazë të çfarë parametrash keni caktuar pagë të tillë për veten? Dhe pyetja tjetër, javën e kaluar keni thënë se nuk qëndron punësimi i një familjari tuaj gjatë kohës kur ju keni marrë detyrën e kryetarit të bordit, a qëndroni prapa këtij qëndrimi?”, ka thënë ai

Reklama e sponzorizuar

Bashota ka mohuar se ndonjë familjar i tij punon në RTK. Dhëndrit të tij, ai thotë se i është ndërprerë kontrata.

“Për të parën siç ka qenë paga ashtu e kam gjetur. Jeni duke u marrë shumë për fijen e një kashte. E kam dhënë shpjegimin javën e kaluar, këtu jam në një komision dhe jo para një gjykate. Dhëndri im e as një familjar i imi nuk punon në RTK. Nuk e di pse u besoni mediave të caktuara të cilat kanë pasur punë në RTK e tash e tutje s’kanë punë më dhe merren qe një muaj me mua. Dhëndri im ka punuar, nuk punon më është ndërprerë kontrata. Nuk kam çka të shtoj këtë çështje e kam mbyllur javën e kaluar”, ka thënë ai

Korenica ka shtuar se dhëndri i tij ka pasur kontratë nga 1 gushti deri më 31 dhjetor dhe sipas tij, ky është konflikt interesi.

“Unë nuk kam bërë kontratë, beso që kam menduar që ka qenë 4 muaj ai ka qenë 5, nuk është vazhduar më kontrata. Unë nuk jam marrë me atë punë. Nuk besoj që dhëndri im është shembull i të gjitha institucioneve që duhet të merret. Po e teproni me këtë që ka dale nga një portal, kallxo.com. Me miliona euro ka marrë me vite nga RTK vetëm mirë ka folur, tash nuk është vazhduar puna për ta dhe po sulmojnë. Mënyra se si po më akuzoni është e paprecedentë po ma lëndoni edhe reputacionin si profesor e autor i disa veprave. Kjo nuk i ka hije një deputeti”, ka thënë ai.

Deputeti Eman Rrahmani ka pyetur se sa persona me aftësi të kufizuar janë të punësuar në RTK.

Drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati ak thënë se në konkursin e fundit ka pasur të punësuar edhe me aftësi të kufizuara e që sipas tij në total numri i të punësuarve duhet të jetë mbi 10 persona.

Rrahmani ka shtuar se është obligim ligjor që të plotësohet numri prej 20 të punësuarve.

Pas diskutimeve raporti i shpenzimeve janar-mars të RTK-së është miratuar me vërejtjet që janë bërë.