Pavarësisht pandemisë, gjatë vitit 2020 kompanitë e Kosovës arritën të rrisin eksportin e mallrave, ku në fund të vitit eksporti arriti në 460 milionë euro. Ndërsa këtë vit pritet që eksportet të arrijnë më shumë se 650 milionë euro, apo një rritje prej 40 për qind.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve (KPK), Astrit Panxha ishte pjesë e panelit të diskutimit “Rritja e Konkurreshmërisë Eksportuese të NVM-ve Kosovare përmes Produkteve të Shumëllojshme Financiare” të organizuar nga USAID Kosovo Compete Activity, KPK-së dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Gjatë adresimit të tij, Panxha tregoi që përkundër pandemisë COVID-19 gjatë vitit 2020 kompanitë e Kosovës arritën të rrisin eksportin, ku ishte 460 milionë euro.
“Kjo rritje ndodhi për shkak të shumë faktorëve, por një nga ta ishte edhe dështimi i zinxhirit të prodhimit me Azinë ku disa kompani tona e shfrytëzuan shumë mirë këtë mundësi. Duke përcjell trendin e rritjes për tremujorin e parë të vitit 2021, ne presim që deri në fund të viti eksportet të arrijnë shumë prej 650 milionë euro. Apo një rritje prej 40 për qind. Mirëpo, për të pasur rritje të këtij sektori ekonomik duhet të ketë përkrahje si me grante por edhe mënyra tjera të financimit”, tha Panxha.
Gjatë takimit u bisedua për mundësinë e mbështetjes financiare për NVM-të Kosovare të orientuara drejt eksportit në industritë e përpunimin e drurit, TIK-ut dhe përpunimit të ushqimit.
U bë prezantimi i shembujve ekzistues të iniciativave të ngjashme dhe shkëmbimi i përvojave, por edhe koordinimi i donatorëve në lidhje me temën dhe identifikimi i mundshëm i veprimeve të sinkronizuara.
Kurse, sipas raportit të ASK-së gjatë muajit shkurt të këtij viti eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 16,1 milionë euro, ose (33.4%) të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (10.7%).
Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së janë: Shqipëria (13.5%), Maqedonia (10.1%), Serbia (5.0%), Mali i zi (2.7%).
Eksportet e Kosovës me vendet tjera arritën në 15,5 milionë euro, ose (32.0%). Si partner më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport vlen të përmendën: SHBA (16.4%), dhe Zvicra (7.5%).
Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: (35.8%) të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (19.3%) artikuj të ndryshëm të prodhuar, (10.5%) plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, (5.6%) ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, (4.9%) tekstil dhe artikuj tekstili, (4.6%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (3.7%) produktet minerale./Monitor.al/