Firma zvicerane dhe një Call Center kosovar akuzohen për “terror telefonik”

Disa qindra ankesa lidhur me qendrën e përmendur të thirrjeve kishin shkuar në adresë të Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike (Seco).

Katër persona nga Geminis Marketing GmbH duan që përmes incizimeve të zërit të dëshmojnë pafajësinë e tyre para Gjykatës së Lartë të  Kantonit Aargau.

Në fjalën e tij përmbyllëse, njëri nga katër të akuzuarit tha: “Këto pretendime më ofendojnë mua si ndërmarrës”. Ndërkaq ai dhe kolegët e tij akuzohen për konkurrencë jolojale, shkruan gazeta “Aargauer Zeitung”.

Reklama e sponzorizuar

Ata thuhet se kanë udhëzuar një qendër thirrjesh (Call Center) në Kosovë për të reklamuar në mënyrë agresive kompaninë e tyre në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Kjo e fundit, për ironi të fatit, vetë kishte premtuar mbrojtje nga thirrjet e pakërkuara telefonike reklamuese.

Më tutje në akuzë thuhet se agjentët e qendrës së thirrjeve kanë nxitur klientët e telefonuar që të lidhin kontrata, u kanë dërguar fatura edhe kur nuk ka përfunduar kontrata.

Po ashtu agjentët në fjalë kanë telefonuar edhe në “numrat me yll” në librin e telefonit, (të cilët është e ndaluar të thirren) ndërsa në disa raste madje janë prezantuar si studiues të tregut ose njerëz që flasin në emër të organizatës zvicerane të mbrojtjes së të dhënave.

Dhe e gjithë kjo me autorizim të Geminis Marketing GmbH. Kompania është akoma aktive.

Të akuzuarit kanë bërë ankesën përpara Gjykatës së Lartë (kantonale) pasi Gjykata e Qarkut e Zofingenit tashmë i kishte dënuar ata në shtator të vitit 2019 për shkelje të ligjit federal kundër konkurrencës jolojale.

Dënimet varionin nga gjobat deri në një burgim të pakushtëzuar për njërin nga katër të dënuarit.

Shkrimet që janë gjetur në PC të njërit prej të akuzuarve, dhe përmbajtja e të cilave korrespondon me ankesat e shumta, kanë për qëllim të provojnë fajësinë e të akuzuarit.

Disa qindra ankesa lidhur me qendrën e përmendur të thirrjeve kishin shkuar në adresë të Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike (Seco), transmeton albinfo.ch. Edhe sot, ankesat vazhdojnë të vijnë rregullisht, sipas akuzës, pasi kompania është ende aktive.

Dhe për këtë arsye Seco më në fund pati bërë ankesën penale.

“Nuk kemi thirrur në ndonjë numër të ndaluar”, të gjitha këto janë marrëzira të qarta, është shprehur i akuzuari dje para Gjykatës së Lartë. Thirrja e “numrave me yll” në librin e telefonit është e pakuptimtë nga pikëpamja ekonomike – sepse njerëzit që kanë ata numra edhe ashtu nuk do të blinin asgjë.

Përveç kësaj, kompania kishte blerë numra legalë për dhjetëra mijëra franga. “Pse do të shpenzonim kaq shumë para për të thirrur numra të ndaluar në fund të fundit?”, thonë të akuzuarit.

Njëri nga të akuzuarit shpjegoi se ku ishte arsyeja që kishte ende kaq shumë ankesa: Ata kishin blerë numra llotarie. Kushdo që merr pjesë në një lojë shpërblyese kudo në internet, do të japë të dhënat e tij personale dhe do të pranojë kushtet e lojës, përcjell albinfo.ch. Ajo që shumë prej tyre nuk e dinë, sepse askush nuk i lexon termat dhe kushtet, është se, ata që marrin pjesë në to bien dakord, në varësi të ofruesit, që të dhënat e tyre të shiten për qëllime reklamimi.

Kjo do të thotë që ylli në librin e telefonit është i pavlefshëm. Ky fakt – krahas një “gjuetie” të pretenduar nga media kundër kompanisë – ka bërë që kaq shumë njerëz të ankoheshin në Seco. Edhe pse, në fakt nuk kishte dhe aq shumë: Kur bëhet fjalë për gati 1.5 milion thirrje të bëra, numri prej 400 ankesash është i papërfillshëm.

Të akuzuarit gjithashtu kanë hedhur poshtë pretendimet se telefonuesit ishin paraqitur si studiues të tregut dhe në mënyrë agresive i kanë shtyrë klientët të bënin kontrata. Si dëshmi, ata paraqitën para gjyqtarëve disa regjistrime audio të thirrjeve të shitjeve.

A ka gënjyer ndonjë nga ankuesit?

Një shembull: Një grua ishte ankuar tek Seco se nuk kishte blerë asgjë përmes telefonit, por megjithatë i ishte dërguar një faturë. Në regjistrim mund të dëgjohet qartë si ka ndodhur rasti, transmeton albinfo.ch. Aty madje dëgjohet se si agjentja e qendrës së thirrjeve ia kishte tërhequr në mënyrë të qartë vërejtjen gruas për faktin se ajo kështu ishte duke lidhur një kontratë.

“Ne të gjithë kemi blerë ndonjëherë diçka për çfarë më vonë jemi penduar”, u shpreh një nga avokatët e mbrojtjes. Por këtu nuk ka faj shitësi. Në këtë rast, sipas mbrojtësve që nga fillimi është bërë klisheja për “klientët e pafuqishëm që duhet të mbrohen nga sipërmarrësit e këqij”. Të gjitha faktet që dëshmojnë të kundërtën, sipas tyre, thjesht janë injoruar.

Gjykata e Lartë nuk ka marrë vendim të enjten. Gjykatësit do të dëgjojnë regjistrimet e zërit dhe më pas do të njoftojnë për veprimet e mëtejshme.