Sipas dosjes së tenderit, kompania “Made Kos” e kishte ndryshuar ofertën e produktit të ofruar. Ndonëse në disa raporte të vlerësimit komisioni vlerësues kishte konstatuar se kjo kompani e kishte ndryshuar ofertën bazë, duke ndryshuar produktin e ofruar, ajo megjithatë ishte shpallur fituese për furnizimin me rreth 300 mijë teste. Ndërkohë, Ligji i Prokurimit Publik saktëson se edhe në fazën e sqarimit të tenderëve nuk lejohen ndryshime materiale.
Në raportin e vlerësimit të tenderëve, më 3 mars, shkruhej se kompania “Made Kos”, bazuar në broshurën me sqarime shtesë, e ka ofruar një produkt tjetër, që i detekton dy gjene, për dallim nga ai i ofertës bazë për detektimin e tri gjeneve: S, N dhe ORF1b.
Marrë parasysh se produkti i ofruar me sqarime shtesë ndryshon nga produkti bazë, ky raport ka konstatuar se nuk plotësohen specifikimet teknike për së paku tri gjene, siç është kërkuar.
Në një tjetër raport, të përpiluar më 10 mars të këtij viti, nga komisioni i vlerësimit ishte konstatuar se kjo kompani ishte e papërgjegjshme për shkak se në ofertën bazë e ka ofruar produktin që i detekton dy gjene: S dhe N.
Gjithashtu, sqarimet shtesë që Zyra e Prokurimit e MSH-së ia kishte kërkuar kësaj kompanie ishin të lidhura me specifikimet teknike të ofertës, me mënyrën e detektimit të gjeneve, numrin e tyre dhe mënyrën e aplikimit.
E, pas këtyre sqarimeve të ofruara, komisioni vlerësues, i përbërë prej tre anëtarëve, e kishte rekomanduar “Made Kos”-in për dhënie të kontratës më 19 mars të këtij viti.
KOHA e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë nëse ka pasur shkelje me shpalljen si fituese të një kompanie e cila ka ndryshuar ofertën e saj, por nga ministria është thënë vetëm se kompania ka ofruar deklaratë nga prodhuesi që testet janë me tri gjene dhe se autoriteti kontraktues gjatë vlerësimit është bazuar në nenin 39 dhe nenin 72 të Ligjit të Prokurimit Publik.
Sipas MSH-së, kompanitë e tjera nuk i kanë plotësuar kriteret e tenderit, derisa një kompani, me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), është në listën e zezë për falsifikim.
“Kompania fituese, në ofertën e saj, ka ofruar deklaratë nga prodhuesi që testet e ofruara janë me 3 gjene. Autoriteti Kontraktues gjatë vlerësimit është bazuar në nenin 39 – Sqarimi i Tenderëve të RRUOPP – dhe nenin 72 të LPP-së. Gjithashtu, ka kërkuar informata sqaruese nga ky operator ekonomik dhe është sqaruar se testet e ofruara janë me tri gjene. E njëjta kompani rishtazi është shpërblyer me kontratë nga UNOPS-i për furnizim me 60.000 teste PCR me të njëjtat produkte, të njëjtat specifikime dhe me të njëjtin prodhues sikurse në tenderin e MSH-së. Jo, nuk ka pasur asnjë ofertë tjetër të përgjegjshme. Kompanitë e tjera nuk i kane plotësuar kriteret e tenderit, si dhe një kompani, me vendim nga OSHP-së, është në listën e zezë për falsifikim”, është thënë nga Ministria e Shëndetësisë.
Por, Diana Metushi nga KDI-ja thotë se, sipas Ligjit të Prokurimit Publik, nuk lejohet ndryshimi i ofertave pas vlerësimit të tenderëve dhe as në fazën e sqarimit.
“Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, asnjë ndryshim në oferta nuk mund të bëhet pas përfundimit të kohës për sqarime në oferta, aq më pak pas vlerësimit të ofertave. Ndryshimi i ofertës është në kundërshtim me ligjin, do të duhej të mos pranohej edhe tenderi në fjalë, meqë nuk kemi asnjë operator ekonomik të përgjegjshëm. Është dashur të anulohet dhe për shkak të emergjencës shëndetësore të shfrytëzohej si praktikë një procedurë e përshpejtuar për sigurimin e testeve PCR. Dhe, procedura duhej të rihapej. Kërkesa e specifikat teknike nuk mund të ndryshohen, vetëm mund të jepen sqarime lidhur me kërkesat e dosjes së tenderit”, ka thënë ajo.
Neni 59 i Ligjit të Prokurimit Publik thotë se autoriteti kontraktues mund të kërkojë nga një tenderues sqarime me shkrim, por që asnjë ndryshim në material dhe asnjë aspekt i tenderit nuk duhet të pranohen nga autoriteti kontraktues, ose të ofrohen nga një tenderues.
KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga kompania “Made Kos”, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërsa, drejtori i Mikrobiologjisë në IKSHPK, Xhevat Jakupi, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka konfirmuar se aktualisht ky institucion ka në dispozicion mbi 60 mijë teste, derisa, sipas tij, ende nuk ka nisur furnizimi me teste nga operatorët ekonomikë.
“Gjendja me RT PCR teste në IKSHPK është solide. Kemi mbi 60.000 teste në dispozicion. Nuk kemi filluar të pranojmë furnizime ende nga operatorët ekonomikë që janë shpallur fitues në procesin tenderues në MSH për material shpenzues laboratorik për testim në COVID-19”, ka thënë ai.