Përveç rritjes së papunësisë, pandemia ka ndikuar edhe në fluksin e emigracionit, ku një numër i madh i të punësuarve po largohen nga vendi.
Gjermania është një nga vendet që po jep viza më së shumti për qytetarët e Kosovës.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, në tryezën “Ikja e fuqisë punëtore nga Kosova: Sa do të ndikojë pandemia dhe rregullat e reja të migrimit të Gjermanisë në këtë fenomen?”, tha se deri në verë do t’i rrisin kapacitetet, duke angazhuar 6 punonjës të rinj në seksionin e vizave.
“Vitin e kaluar jam befasuar se si Ambasada gjermane ka arritur që të japë viza më shumë se çdo seksion tjetër. Jemi duke rritur numrin e stafit në seksionin e vizave. Lidhur me atë se sa viza do të lëshohen, është e vështirë të them, e kemi një kuotë”, ka deklaruar Rohde.
Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti, tha se ikja e të rinjve ka ndodhur si shkak i keqmenaxhimit dhe korrupsionit shumë vjeçar.
“Kjo është si pasojë e një korrupsioni dhe një keqmenaxhimi”, ka thënë Kapiti.
E, drejtoresha ekzekutive e Institutit GAP, Nora Latifi-Jashari, deklaroi se pandemia pati efekte negative në gjendjen ekonomisë.
“Tregu i punës dhe papunësia karakterizohet me një shkallë të lartë të papunësisë me rreth 25.7% dhe me shkallë të ulët të punësimit me rreth 30%”, ka pohuar Latifi-Jashari.
Nora Hasani, nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, deklaroi se 1/3 e të punësuarve po largohen nga Kosova.
Sipas GAP-it, Kosova pësoi shumë ekonomikisht, duke bërë që numri i të punësuarve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, të bjerë në 27.2 për qind.