Hapja e gastronomisë, Kllokoqi: Vendim i pritur

Nga e hëna (19 prill) do të rifillojë puna e sektorit të gastronomisë dhe qendrave tregtare, duke respektuar në përpikëri masat për mbrojtjen e shëndetit publik, i cili vendim është mirëpritur edhe nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Qeveria e Kosovës iu ka premtuar që vetëm 12 ditë do të jetë mbyllja e këtij sektori.

“Do ta mbajmë dhe ne një konferencë për shtyp, se momentalisht e kemi pas dhe një lloj premtimi nga Qeveria që vetëm 12 ditë ka me qenë mbyllja. Është vendim i pritur dhe po shpresojmë që do ta rrisin orarin dhe do të merren vendime të mira për gastronominë ”, ka thënë Kllokoqi.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, hapja e gastronomisë dhe e qendrave tregtare nga 19 prilli, me respektim strikt të masave parandaluese u bë i ditur në një njoftim për media nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – MAPL, pas një takimi koordinues i cili u organizua nga MAPL-ja, ku morën pjesë Ministria e Shëndetësisë si dhe kryetarët e komunave të Kosovës.