Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike ka njoftuar se ka filluar projektin investiv në rrugën më të përfolur në Prishtinë, “Muharrem Fejza” ku pritet që pas disa vitesh ankesa të qytetarëve, të largohen shtyllat dhe kabllot ajrore të rrymës.
Përmes një njoftimi për media, KEDS ka bërë të ditur se aty ka nisur punën që përgjatë distancës katërkilometërshe të vendosë rrjetin elektrik nën tokë.
Tashmë ka filluar procesi i hapjes së kanaleve në të cilat do të vendosen gypat përmes së cilave do të kalojnë kabllot nëntokësore për furnizim të konsumatorëve.
Sipas njoftimit, punimet pritet të përfundojnë deri në fund të qershorit.
Në njoftimin për media, KEDS ka thënë se në disa lagje tashmë ka vendosur rrjetin nëntokësor në kuadër të “mega projektit investiv në Prishtinë, vlera e të cilit kap shifrën prej rreth 17 milion eurosh e që parasheh largimin e mbi 2500 shtyllave elektrike të Tensionit të Ulët dhe vendosjen nën tokë të 90% të rrjetit të Tensionit të Mesëm”.