Të shqetësuar me numrin e vdekjeve në vend të punës janë shprehur Inspektorati i Punës dhe njohësit e çështjeve të sigurisë në punë.
Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti dy punëtorë kanë vdekur në vendin e tyre të punës, derisa numri i vdekjeve të tilla vitin e kaluar ishte 11.
Sipas Agim Millakut, zëvendëskryeinspektor për Siguri në Punë, masat e sigurisë duhet të respektohen nga të gjithë, si prej kompanive, ashtu edhe prej të punësuarve.
“Numri i të lënduarve në vend të punës gjatë vitit 2020 ka qenë 160 (lëndime të lehta 105 raste dhe 55 raste të lëndimeve të rënda). Punëdhënësi ka për obligim që rastet aksidentale t’i lajmërojë në Inspektoratin e Punës në afatin sa më të shkurtër. Sipas informacioneve tona, ka ndryshime pozitive në të mirë të përmirësimit të shkallës së sigurisë dhe shëndetit në punë edhe në sektorin e ndërtimtarisë, pavarësisht që nuk jemi të kënaqur me nivelin e arritur, sepse treguesit statistikorë prezantojnë numër të madh të aksidenteve. Synimi ynë dhe i përfaqësuesve të punëdhënësve dhe përfaqësuesve të punëtorëve, po edhe i punëdhënësve individualë dhe punëtorëve në proces të punës, është që të minimizohet numri i aksidenteve në punë dhe mundësisht ky numër të sillet në zero aksidente. Nëse kompanitë ndërtuese nuk i marrin masat e duhura në pajtim me rregullat e përcaktuara me dispozita pozitive ligjore, merren masat e përcaktuara me bazuar në këto dispozita që rregullojnë këtë lëmi, duke filluar nga vërejtjet për përmirësim, gjobat në raste se inspektori vlerëson se ajo është masë adekuate, e deri te marrja e vendimit për ndalimin e vazhdimit të punimeve nëse situacioni i tillë paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e punëtorëve”, tha Millaku.
Mungesën e inspektorëve e përmend si shqetësim juristi Lirik Veselaj nga kompania për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Ai po ashtu kërkon sensibilizim më të madh të punëtorëve ndaj sigurisë dhe shëndetit në punë.
“Mosrespektimi i masave në punë është i inkorporuar me ligjin për siguri dhe shëndet në punë. Inspektorati është trupi ekzekutiv me mandat për ti gjobitur kompanitë të cilat gjinden që nuk kanë respektuar këto rregulla të sigurisë në punë, gjobat janë gjithashtu papjesë ë ligjit për siguri në punë dhe secili punëdhënës duhet të informohet nga ato gjoba të inkriminuar me ligj”, tha Veselaj.
Vesalaj tregon se për ata që nuk respektojnë rregullat e sigurisë në punë, ligji ka paraparë gjoba monetare prej 5 mijë e deri në 25 mijë euro. Sipas tij, disa biznese kosovare akoma nuk janë të informuara mbi rëndësinë e sigurisë në punë dhe mbi obligimet e tyre ligjore për implementimin e masave të sigurisë.