Kjo është ambasada e vetme që jep viza turistike

Pandemia COVID-19 ka ndryshuar jetën e pothuajse të gjithë njerëzve, ajo përveç që ka goditur shëndetin publik ka ndikuar negativisht edhe në sektorët tjerë, përfshirë këtu dhe turizmin.

Ambasadat e huaja që janë në Kosovë tash e një kohë nuk janë duke lëshuar viza turistike për qytetarët e Kosovës.

Kosovarët edhe para situatës së krijuar me pandeminë, kanë pasur probleme të shumta që të pajisen me një vizë, ku për të marrë një vizë, qytetarët duhet të plotësojnë kritere të shumta.

Reklama e sponzorizuar

Disa nga ambasadat, kanë konfirmuar se për shkak të virusit nuk janë duke lëshuar viza turistike.

Viza vazhdojnë të mos lëshojnë ambasada e Gjermanisë, Zvicrës, Greqisë, Sllovenisë, Italisë e të tjera.

Përjashtim nga ambasadat e lartë përmendura, bën ajo e Bullgarisë, ku përgjatë këtyre muajve kosovarët kanë mundur të pajisen me vizë turistike.

Deri tani ende nuk ka diçka zyrtare se kur ambasadat do të fillojnë të lëshojnë viza turistike, por që disa paralajmërime kanë qenë se ambasadat do të fillojnë punën gjatë muajit maj.

Vlen të ceket që kosovarët të cilët udhëtojnë drejt vendeve evropiane e po ashtu atyre në Ballkan, duhet të dëshmojnë se nuk janë të prekur nga coronavirusi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës javë më parë ka lehtësuar masat antiCOVID-19, ku sektori i gastronomisë, qendrat tregtare edhe operatorët ekonomik lejohen të punojnë deri në ora 22:00, kurse pas orës 22:30, ndalohet lëvizja e qytetarëve.

Që nga fillimi i pandemisë e deri tani Kosova ka regjistruar 104 mijë e 986 raste pozitive nga 530.954 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.162 raste të vdekjes.