Komunat ankohen se s’mund të mbulojnë koston për kontratat kolektive

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës është ankuar se nuk mund të mbulojë koston financiare për kontratat kolektive për sindikatat e arsimit dhe të shëndetësisë të nënshkruara me ministritë përkatëse.

“Kontratat kolektive të nënshkruara në mes Ministrive të Arsimit dhe Shëndetësisë me sindikatat përkatëse pa asnjë konsultim me komunat, kostoja financiere e këtyre kontratave nuk mundë të mbulohet nga komunat por nga nënshkruesit e këtyre kontratave pra nga ministritë përkatëse”, thuhet në një nga katër kërkesat që ky bord ka bërë për Qeverinë, pas një mbledhjeje të mbajtur të mërkurën.

Komunat kanë kërkuar që sa më shpejt që të bëhet bartja e mjeteve nga të hyrat vetjake të vitit 2020 në vitin 2021.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme për komunat në realizimin e shumë projekteve kapitale”, thuhet në kërkesën e parë.

Në kërkesën e dytë, komunat kanë kërkuar që të zbatohet pagesa për operatorët që kanë kryer punët e kontraktuara bazuar në marrëveshjet e komunave me ministri të linjave dhe projektet me bashkëfinancim komunal.

Kërkesa e fundit ka qenë që t’u lejohet komunave shpallja e konkurseve për shërbyes civilë në nivelin lokal “sepse kjo po është e pamundur për shkak të mos hartimit të akteve nënligjore”.

Shumë komuna janë paditur dhe kanë humbur raste gjyqësore lidhur me ankesat e mësimdhënësve.