Komunat kërkojnë pako të re nga Qeveria: Të hiqet ora policore e të hapet gastronomia

Vetëm katër ditë para se të skadojë afati i vendosur nga Qeveria për masat e reja në luftën kundër koronavirusit, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar një pako të re mbështetëse nga Qeveria për dalje nga kriza ekonomike e shkaktuar nga virusi.

Në një takim të mbajtur online, kryetarët e komunave kanë dhenë disa rekomandime për pushtetin qendror dhe masat e reja që, sipas tyre, duhet të merren pas 18 prillit.

Ata kanë kërkuar heqjen e orës policore e hapjen e gastronomisë, teksa janë ankuar për mungesë komunikimi me nivelin qendror.

Reklama e sponzorizuar

Rekomandimet e komunave:

1. Qeveria të ketë prioritet vaksinimin e popullatës.

2. Komunat kërkojnë dhe rekomandojnë heqjen e orës policore.

3. Komunat rekomandojnë dhe kërkojnë që masat ndaj gastronomisë të tërhiqen dhe kërkojnë që gastronomia të zbatojë udhëzimet për distancën fizike edhe përmes tavolinave.

4. Komunat kërkojnë që të amandamentohet Ligji mbi Pandeminë.

5. Kërkohet nga Qeveria zbatimi i pakos së fundit të përkrahjes ekonomike dhe që të fillohet me një pako të re përkrahëse.

6. Të ketë bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve në mes nivelit qendror dhe lokal në ruajtjen e shëndetit publik dhe ekonomik.

7. Bashkëpunimi në mes inspektoratit qendror dhe atij lokal nuk është në nivelin e duhur. Ky bashkëpunim duhet të fuqizohet në zbatim të masave në mënyrë që të ruhet shëndeti publik.