Nisma e studentit Sovran Hoti, ka rezultuar e suksesshme pasi me vendosjen e kufijve të Kosovës në hartat e Apple, tashmë është arritur qëllimi që edhe platforma e transmetimit të filmave, Netflix, ta bëjë Kosovën pjesë të listës së saj. Historia e kësaj nisme filloi kur studenti Hoti i cili është përdorues i rregullt i Netflix-it, vuri re se vendndodhja e Kosovës i figuronte si Serbi dhe kështu bëri kërkime rreth kësaj çështje.
Më vonë çështja u zmadhua dhe mbërriti në vëmendjen e vëmendjen e Netflix-it, në muajin shkurt të këtij viti me qëllim që Republika e Kosovës të njihej si shtet në Netflix. Peticioni pati jehonë dhe u përkrah edhe nga artistë, njerëz publikë dhe jo vetëm.
Pasi u mblodhën 37 mijë nënshkrime për dy muaj, Netflix-i e dëgjoi thirrjen e kosovarëve dhe futi Kosovën në listën e shteteve në këtë platformë. Ka qenë po vetë Sovran Hoti, i cili ka njoftuar sot për këtë arritje duke treguar se Netflix ka shtuar Kosovën në listën e shteteve me kodin telefonik +383 në platformën e tyre.
Ai tha se është në pritje që e njëjta të ndodhë edhe me vendndodhjen e përdoruesve kosovarë. Hoti falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë arritje dinjitoze dhe simbolikë e bashkimit.
“Nuk u deshtën 200 mijë, me 37 mijë nënshkrime dhe rreth 2 muaj, Netflix e dëgjoi thirrjen tonë. Netflix ka shtuar Kosovën në listën e shteteve me kodin telefonik +383 në platformën e tyre. Presim t ‘pasoj e njëjta edhe për vendndodhjen e përdoruesve kosovarë. Faleminderit të gjithëve që më keni mbështetur në këtë arritje simbolike, por të dinjitetshme!”, ka shkruar ai.