Me pandeminë e koronës, shprehitë e blerjeve në Zvicër kanë pësuar ndryshim të dukshëm. Konsumatorët në përgjithësi kanë ulur shpenzimet e tyre gjatë pandemisë, shkruan firma e menaxhimit “AlixPartners” në një studim të publikuar sot, raporton srf.ch.
Në 14 nga 15 fushat e listuara në sondazh (p.sh. për udhëtime, darka në restorante ose kulturë) është shpenzuar më pak sesa para krizës, transmeton albinfo.ch. Vetëm me ushqimin nuk ishte kështu.
Zviceranët e anketuar kanë deklaruar se ata do të vazhdojnë të shkurtojnë shpenzimet edhe në të ardhmen, veçanërisht sa i përket argëtimit dhe kulturës, udhëtimeve, produkteve dhe shërbimeve estetike, si dhe orendive të shtëpisë dhe veshjeve.
Nga ana tjetër, përfituesi i vërtetë i krizës së koronës është tregtia në internet. Pothuajse një e treta e konsumatorëve deklaruan se ata gjithnjë e më shumë dëshirojnë të blejnë veshjet në internet.
Trendi drejt tregtisë online po tregon trend rritjeje edhe në sektorin e ushqimit.
AlixPartners ka anketuar pothuajse 7200 konsumatorë në të gjithë botën në janar, përcjell albinfo.ch. 765 prej tyre ishin në Zvicër.