Marrëveshja e heqjes së romingut do të fillojë të zbatohet me 1 korrik të këtij viti. Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), i ka thënë Radio Kosovës se tashmë një fazë e kësaj marrëveshje është zbatuar duke zvogëluar tarifat, ndërsa në fazën e dytë nuk do të aplikohen fare tarifa. Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu tha se kjo marrëveshje është në dobi të ekonomisë dhe të disa dimensioneve tjera.
Marrëveshja e heqjes së roamingut mes vendeve të Ballkanit përfshirë këtu edhe Kosovën do të implementohet në tërësi prej 1 korrikut të këtij viti. Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka bërë të ditur për Radio Kosovën se “prej 1 Korrik 2021 kur edhe do të filloj aplikimi i modelit RLAH, parapaguesit gjatë qëndrimit në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të paguajnë asnjë tarifë shtesë për shërbimet e rregulluara të roamingut”.
Safet Gërxhaliu, si ekspert i ekonomisë, tha se kjo marrëveshje është bërë me qëllim që të hiqet një barrierë, e cila e ka ngritur koston e komunikimit në këtë drejtim, e që për këtë, Gërxhaliu tha se do të ketë efekte pozitive në disa dimensione.
“Në aspektin ekonomik do ta bëjë komunikimin më të lirë, në aspektin integrues do të ketë një model të fuqizimit dhe faktorizimit të Ballkanit Perëndimor dhe do të ketë një pozicionim strategjik karshi faktorit tjetër relevant botëror, por mbi të gjitha, do ta ketë efektin e vet psikologjik. Duhet të besojmë se do të kemi edhe interesim të brendeve më të mëdha të kësaj fushe që t’ia mësyjnë Ballkani Perëndimor për të investuar, sepse jemi shtete të vogla për të qenë atraktive për këto brende edhe besoj se në këtë mënyrë po hapet një perspektivë e re për këto brende botërore”, thotë Gërxhaliu.
ARKEP përmes një përgjigje me shkrim i tha Radio Kosovës se Marrëveshja e Romingut përfshinë dy faza. Faza e parë ka filluar të zbatohet prej 1 korrik 2019. Ndërkohë nga data 1 korrik 2020, është filluar me zvogëlimin e mëtutjeshëm të tarifave shtesë për thirrjet e pranuara dhe transferim i të dhënave/internet. Kjo do të vazhdojë deri me 1 korrik kur edhe do fillojë faza e dytë e që parapaguesit gjatë qëndrimit në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të paguajnë asnjë tarifë shtesë për shërbimet e rregulluara të roamingut.
Thirrjet e realizuara | 0.05€/minut |
Thirrjet e pranuara | 0.04€/minut (0.025 nga 01 Korriku 2020) |
SMS të dërguar | 0.02€/SMS |
Transferim i të dhënave (Internet) | 25€/GB (15€/GB nga 01 Korriku 2020)
10€/GB (8.5€/GB nga 01 Korriku 2020 – Shqipëri) |