Mbi 50 mijë persona humbën punën në Kosovë për shkak të pandemisë

Kryetari i ARBK-së, Agim Shahini, thotë se sipas statistikave të tyre, mbi 50 mijë persona kanë humbur punën e tyre për shkak të pandemisë COVID-19.

Madje, Shahini thotë se kjo shifër është shumë më e madhe, për shkak që shumë punëtorë në Kosovë, nuk figurojnë si të regjistruar dhe se humbja e punës nga ana e tyre është e pavërifikueshme.

“Sipas statistikave tona mbi 50 mijë punëtorë kanë humbur vendin e tyre të punës, gjatë vitit të kaluar. E gjithë kjo situatë është për shkak të pandemisë COVID-19. Por, unë mendoj që kjo shifër është shumë më e madhe, pasi që në Kosovë, është shumë vështirë të verifikohet numri i saktë i personave që e kanë humbur punën, për shkak se shumë punëtorë nuk figurojnë si të regjistruar”, ka thënë ndër të tjera Agim Shahini, për Gazeta Blic.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka dhënë alarmin se nëse nuk ndihmohet shpejt sektori privat, numri i bizneseve që do të falimentojnë do të jetë shumë i madh.

Shahini ka dhënë disa këshilla për qeverinë aktuale se si duhet që sipas tij të merren vendime për daljen nga kriza ekonomike, të shkaktuar nga pandemia.