Ministria e Punës, Financave dhe Tranfereve ka dal me një sqarim për arsyen se pse dje u publikua lista me 50 bizneset që kanë përfituar më së shumti nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Ministria ka thënë se publikimi i kësaj liste është bërë në frymën e transparencës dhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian të nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton opinionin publik se bashkangjitur me këtë komunikatë mund të gjejnë listën e 50 bizneseve që përfituan nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike të dizajnuar dhe ekzekutuar nga Qeveria e kaluar në tetor 2020.
Ky publikim i kësaj liste është bërë në frymën e transparencës, po ashtu edhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian të nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend”, thuhet në komunikatë.
Grupi Koha ka përfituar 70 mijë e 775 euro nga Pako e Rimëkëmbjes, të ndara nga Qeveria Hoti në muajin tetor të vitit 2020.
Në këtë listë figuron edhe “Dukagjini shpk” me 73 mijë e 385 euro, por kompania, përveç mediumit përfshin edhe biznese të tjera si hoteleri, ndërtimtari e të tjera, derisa biznesi i Grupit Koha, sipas të dhënave në ARBK përfshin vetëm televizionin, shtypshkronjën dhe gazetën.