Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e ka vlerësuar shqetësuese gjendjen e lumenjve në të cilët operojnë hidrocentralet. Nga Brezovica, ku ishte për vizitë, ai ka paralajmëruar rishqyrtim të të gjitha lejeve e pëlqimeve të lëshuara vite më parë për hidrocentralet
“Do të shqyrtojmë edhe bashkë me zyrtarët e me strukturat e Ministrisë që kanë qenë të përfshira në gjithë këtë proces dhe në diskutim me to nëse do të dalë nevoja e rishqyrtimit, nëse vlerësohet që ka degradim, atëherë monitorimi është i nevojshëm para se të veprojmë tutje”, është shprehur ai.
Ministri i Mjedisit ka treguar se një ditë më parë ka vizituar lumenjtë në Bjeshkët e Sharrit, e ku nuk ka pasur ujë të rrjedhshëm. Ai thotë se është shqetësuese se si, kur shkojnë pa paralajmërim në lumenj nuk ka ujë, derisa kur e kanë paralajmëruar vizitën për të enjten uji ka qenë normalisht. Për këtë ministri kishte bërë edhe fotografi për të pyetur edhe përfaqësuesit e kompanive, pasi që, sipas tij, ata do të ftohen javën e ardhshme për të biseduar.
“Ne kemi ardhur dje pa paralajmërim këtu dhe situata ka qenë krejtësisht ndryshe prej kësaj qe kemi sot. Uji ka qenë pothuajse i palëvizshëm dje, sot kemi rrjedhë të ujit. Situata prej orës 5:30 dje dhe asaj sot është krejtësisht ndryshme. Po ashtu, duhet parë edhe pjesën tjetër, dje kemi ecë nëpër të, sepse nuk ka pasur ujë, ndërkaq sot nuk mundemi me ecë. Vizitën që e kemi bërë dje ka qenë për kanalin e betonit që nuk do të duhej të ishte këtu”, ka treguar ai.
Për ta pritur ministrin kishin dalë shumë banorë të Shtërpcës e të fshatrave përreth, të cilët i tregonin atij për dëmet që u ka shkaktuar ndërtimi i hidrocentraleve.
Gjorgje Stankoviq, banor i Bitisë së Poshtme, duke falënderuar ministrin për vizitën thotë se kudo në botë e kryesisht në Ballkan, hidrocentralet janë duke shkaktuar probleme të mëdha.
“Është një ‘ekocid’ i madh që po ndodh këtu. Mendoj se nuk ka jetë, jo vetëm për njerëzit, por nuk ka jetë as për mikroorganizma, për kafshë, për bujqësi, pra gjithçka po fiket. Ne të gjithë e dimë se druri është prodhuesi më i madh i ajrit, por drunjtë nuk mund të mbijnë pa ujë”, është shprehur ai.
E Valon Raka nga organizata joqeveritare “Gjethet”, thotë se hidrocentralet kudo në Kosovë kanë dëmtuar jashtë mase natyrën dhe lumenjtë, duke kërkuar nga ekzekutivi që të shqyrtojë dhe të ndalojë të gjitha hidrocentralet.
“Ne kërkojmë që të ndalen te gjitha hidrocentralet dhe të shqyrtohen të gjitha lejet që janë dhanë dhe të shikohet aspekti ligjor”, shprehet Raka.
Vizita e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës vjen në Ditën Ndërkombëtarë të Tokës, ku janë shënuar edhe disa aktivitete të tjera në Kosovë.
Në këtë ditë nga udhëheqësit e institucioneve e nga aktivistët e mjedisit është kërkuar vetëdijesim më i madh për ruajtjen e ambientit, derisa në Komunën e Vushtrrisë është larguar një deponi ilegale e mbeturinave.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pas një vizite në një nga shkollat në kryeqytet, ka kërkuar më shumë kujdes nga nxënësit sa i përket ruajtjes së ambientit ku ata jetojnë.
Kërkesë ajo pati edhe për mësimdhënësit, duke kërkuar nga ta që të vazhdojnë me aktivitete që qëllim kanë rritjen e vetëdijesimit për ruajtjen e ambientit.
“Për mua është kënaqësi që sot nga këtu po përcjell një mesazh për rëndësinë e ruajtjes së tokës. E di që fëmijët janë ata që kujdesen më së shumti për tokën” ka thënë ajo.
Më 2006, 2008 dhe 2010, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka bërë studime të parafizibilitetit për identifikimin e potencialit që Kosova ka për gjenerimin e energjisë përmes ujit. Aty janë identifikuar 77 lokacione, ku mund të gjenerohet energji nga hidrocentralet.