“Në veri kemi ilegalisht shtim të konsumit të energjisë”

Deputetja e LVV-së dhe njëherësh edhe anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila, gjatë mbledhjes së djeshme të këtij komisioni, ka ngritur dyshimet e saja rreth rritjes ilegale të konsumit të energjisë elektrike në komunat veriore të populluara nga serbët.

Kusari-Lila tha se është për hetim çështja se si në veri konsumi i energjisë elektrike për këtë vit është rritur për 20 për qind përderisa nuk është regjistruar rritje e popullsisë në atë pjesë. Ajo dhe anëtarët e tjerë të LVV-së në këtë komision, hodhën dyshimet për konsum ilegal të energjisë e cila për vite me radhë vazhdon të paguhet nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.

Sipas saj, në katër komuna të Kosovës, ekziston një vrimë e zezë, e cila po vazhdon të shkaktojë disbalanc, në këtë rast tek KOSTT-i, prandaj ajo ka kërkuar që për këtë konsum të pambuluar në veri të kërkohet një hetim nga organet e sigurisë pasi ka rritje të vazhdueshme të konsumit në këtë pjesë.

Reklama e sponzorizuar

“Ne nuk kemi pasur shtim të popullsisë në veri, nuk kemi pasur zyrtarisht shtim të aktivitetit ekonomik, që do të thotë se kemi ilegalisht shtim të konsumit të energjisë. A janë operatorë nga jugu, që shkojnë nga jugu të prodhojnë apo kush është duke e konsumuar rrymën në veri?”, u shpreh Kusari-Lila.

Ndryshe, deri në vitin 2017 faturat e shpenzimit të energjisë nga serbët i ka paguar konsumatori kosovar, ndërsa nga 2017 i paguan Qeveria, përkatësisht KOSTT-i.

Së fundi, KOSTT-i ka kërkuar nga Kuvendi ndarjen e 11 milionë eurove të tjera për këtë qëllim, kërkesë për të cilën deputetët anëtarë të Komisionit nuk u pajtuan.

“Nëse e shihni në kërkesë të dhjetorit të vitit të kaluar, KOSTT-i kanë kërkuar 15 milionë euro. Qeveria e Avdullah Hotit u ka dhënë 10 milionë euro. Tash ata po kërkojnë edhe 11 milionë të tjera. Këta janë duke bërë hajgare”, ka thënë Armend Muja, kryetar i Komisionit për Ekonomi. /Buletini Ekonomik/