Prizren, 26 prill – Parku i Inovacionit dhe Trajnimit, që ndodhet në ish-kampin e KFOR-it gjerman në Prizren, është hapur tashmë për biznese dhe investitorë. Gjashtë qiramarrësit e parë janë mirëpritur të hënën në këtë Park, ku ofrohen hapësirat për biznese dhe kompani fillestare, institucione të arsimit e trajnimit profesional si dhe për aktivitete hulumtuese dhe inovative. Ata janë përshëndetur nga drejtuesit e Qeverisë së Kosovës, të ambasadës gjermane dhe menaxhmenti i këtij Parku, me ç’rast është shprehur bindja se ky projekt do të mbështes zhvillimin ekonomik lokal dhe se do të jetë një storje suksesi.
Përfaqësuesit e gjashtë subjekteve ekonomike e kulturore, gjatë ceremonisë së mirëseardhjes, para kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, shkurtimisht kanë prezantuar veprimtarinë e tyre, që shtrihet në fusha të ndryshme, siç janë industritë kreative dhe kulturore, automatizimi industrial, shërbimet gjuhësore e arsimi dhe trajnimet.
Në ceremoninë e mirëseardhjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se Parku i Inovacionit dhe Trajnimit nga kampi ushtarak i KFOR-it gjerman është shndërruar në urë lidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare, dhe i ka bërë thirrje mërgimtarëve që të investojnë në vendin e tyre.
“Ne do ta përkrahim dhe do ta ndihmojmë, që sa më shumë bashkatdhetarë nga diaspora të sjellin investime përmes kësaj pike të takimit. Si qeveri reformuese besojmë fuqishëm në mundësitë e shumta dhe transformuese që i sjellë teknologjia. Ne besojmë se digjitalizimi është mjet me të cilin sidomos të rinjtë tanë mund të jenë pjesë e tregut global dhe pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm këtu në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, ky Park do ta ketë mbështetjen e Ekzekutivit të vendit, me qëllim të modernizimit të ekonomisë së vendit.
“Qeveria jonë e sheh Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit si një katalizator të rëndësishëm në modernizimin e ekonomisë së Kosovës. Ne jemi plotësisht të përkushtuar që ky projekt të jetë tregim i suksesit. Jam i sigurt që Prizreni si kryeqytet kulturor dhe me traditë të lashtë të tregtisë do i mirëpret bizneset që do të hapin vende të reja të punës, e të cilat do ta zhvillojnë ekonominë lokale”, ka deklaruar Kurti.
Ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde duke pohuar interesimin e bizneseve për vendosje në këtë Park, ka uruar që pandemia të kalojë sa më shpejtë, në mënyrë që ky projekt të jetë një storie suksesi. Sipas tij, vendosja e këtij parku në qytetin e Prizrenit është i rëndësishëm për zhvillimin e këtij rajoni.
“Është shumë me rëndësi që jemi sot në Prizren dhe të shohim se zhvillimi nuk po ndodh vetëm në kryeqytet, por ngjashëm si në Gjermani po ndodh në tërë vendin”, është shprehur ai.
Rohde gjithashtu ka theksuar se mbështetja gjermane për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës dhe posaçërisht për ITP-në në Prizren është e palëkundur dhe se ITP ka një potencial të madh për të shërbyer edhe si një destinacion për investime nga diaspora në Gjermani, në sektorin e TIK, në dixhitalizim, në përpunimin e produkteve ushqimore dhe bujqësore, industritë kreative ose edhe në sektorët tjerë relevant.
Ndërkaq menaxheri i Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit, Wolfgang Leidig ka shprehur bindjen se ku Park do të jetë në shërbim të zhvillimit të rajonit të Prizrenit dhe Kosovës.
“Ky është fillimi, kemi akoma aplikacione për hyrjen në Park, dhe aktualisht jemi duke negociuar edhe me disa kompani tjera. Kemi shpresë se do ta dyfishojmë numrin e qiramarrësve në muajt e ardhshëm”, ka deklaruar ai.
Zhvillimi i Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren mbështetet nga qeveria e Kosovës dhe qeveria e Gjermanisë. Parku ka një madhësi prej 40 hektarësh, me 56 ndërtesa dhe disa parcela të hapura për zhvillim të mëtejshëm, dhe përqendrohet në sektorët si Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimi /Kompani të bazuara në teknologji; Bujqësi /Përpunimi i ushqimit; dhe Industria Kreative dhe kulturore, përfshirë turizmin.