Qeveria Kurti ka anuluar vendimin e Qeverisë Hoti me të cilin i ishte propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatët për Kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë duhet të drejtohet nga profesionistët më të mirë të fushës, prandaj ka anuluar vendimin e Qeverisë Hoti, transmeton Telegrafi.
“Ne kemi një rregullator të energjisë që duhet të jetë i pavarur dhe i fuqishëm, kështu mundësohet kufizimi i ndikimit të paautorizuar në vendimmarrje dhe sigurohet stabilitet në regjimin rregullator. Vendimet e këtij institucioni kanë ndikim direkt në jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, në konkurrueshmërinë e prodhuesve e sipërmarrësve tanë, në çmimin e furnizimin me energji, por edhe në mjedisin në të cilin jetojmë. Duke marrë parasysh fuqinë dhe përgjegjësinë e këtij institucioni si dhe natyrën tekniko-profesionale të rregullimit të këtij sektori, duhet të sigurohemi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) drejtohet nga profesionistët më të mirë të fushës që i kemi”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka pohuar se rihapja e konkursit ka dobinë e rritjes së numrit të aplikantëve cilësorë për këto pozita.
“Konsiderojmë se kjo vlen posaçërisht në kontekstin e një ndryshimi të madh shpresëdhënës në Kosovë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Me këtë rast inkurajojmë të gjithë profesionistët e fushës, përfshirë bashkatdhetarët nga mërgata, që të konkurrojnë për këto pozita. Prandaj edhe morëm vendimin e sotëm përkatës në mbledhjen e Qeverisë”.