Menaxhmenti i Postës së Kosovës ka njoftuar se edhe përkundër vështirësive të operimit në kushte të pandemisë Covid-19, ka arritur të përmbushë para afatit marrëveshjen për riprogramim të borxheve prej 1.6 milion euro ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Në njoftim thuhet se “Me përmbushjen e parakohshme të obligimeve ndaj ATK-së, Menaxhmenti i Postës së Kosovës ka arritur sukses për të shmangur gjobën prej afro 130 mijë euro, që do ta dëmtonte dukshëm Postën e Kosovës në këtë kohë krize”.
“Ky borxh ndaj ATK-së është grumbulluar nga viti 2018 deri më 2020, kur Posta udhëhiqej nga kryeshefa të tjerë ekzekutiv dhe borde të tjera të drejtorëve, në kushte të operimit normal, por që ishte grumbulluar dhe bartur vit pas viti duke u bërë barrë e rëndë për Postën, në kohën më të vështirë të pandemisë”, thuhet në njoftim.
Kryeshefi Ekzekutiv Xhevdet Smakiqi për këtë sukses të arritur, sot e ka njoftuar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve, në mbledhjen e mbajtur, ndërsa ka falënderuar për kontributin e tij, u.d ZKFTH, Enver Govori dhe secilin anëtar të menaxhmentit.
Gjithashtu, Kryeshefi Ekzekutiv ka falënderuar Bordin e Përkohshëm për mbështetje, si dhe të gjithë punonjësit të cilët kanë duruar edhe vonesat e pagave në dobi dhe interes të stabilizimit financiar të Postës së Kosovës.
“Posta e Kosovës është e përkushtuar si kurrë më parë të rrisë të hyrat vetanake , si dhe të zgjeroi shërbimet ndaj klientëve të saj: Shpejt, Sigurt dhe Lirë. Sukseset e mëdha janë të mundshme edhe në kohë pandemie”, përfundon njoftimi i Postës së Kosovës.