Ndërrimi i shpeshtë i pushteteve i ka lënë tash e një kohë së paku 15 ndërmarrje publike qendrore me borde të përkohshme.
Edhe shumë institucione të tjera të pavarura ka muaj që kanë mbetur jofunksionale, pasi bordet vendimmarrëse të drejtorëve u kanë mbetur të pakompletuara.
Qeveria Kurti, e cila në mandatin e parë vetë i kishte shkarkuar bordet e disa ndërmarrjeve publike, tash dy javë, prej kur e ka marrë mandatin e dytë, ende nuk ka bërë hapa konkretë në kompletimin e tyre.
Megjithatë, në një përgjigje për KOHËN nga Qeveria kanë thënë se janë duke e skanuar situatën dhe se do të ndërmarrin hapa të nevojshëm së shpejti.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke skanuar gjendjen dhe nevojat e ndërmarrjeve publike. Në varësi të urgjencave të tyre do të ndërmarrim hapat që janë në përgjegjësinë dhe kompetencat e Qeverisë dhe ministrisë së linjës. Jemi të vetëdijshëm për situatën kritike në disa prej tyre sikurse edhe për keqpërdorimet që kanë ndodhur së fundmi, dhe po punojmë maksimalisht që të ofrojmë zgjidhjen më të përshtatshme për to”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.
Më 30 mars i ka skaduar mandati edhe Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili tash e tutje pa bord funksional nuk do të mund ta shqyrtojë asnjë ankesë të operatorëve ekonomikë të deponuar në gjykatën e tenderëve, siç njihet ndryse OSHP-ja.
Kësisoj, institucionet shëndetësore të Kosovës rrezikojnë furnizimin me 300 mijë teste PCR për të cilat ishte hapur tender nga MSH-ja, e cila është ankimuar në OSHP.
Për këtë çështje organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar nga Qeveria që sa më parë ta përmbyllë procesin e konkursit për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit për të mos lejuar keqpërdorimet e mundshme nga autoritetet kontraktuese.