Përkundër trendit rritës të nivelit të eksportit të mallrave vendore në tregjet evropiane, Kosova vazhdon të ketë ende bilanc tregtar negativ, si rrjedhojë e importit të lartë.
Në tre muajit e parë të këtij viti niveli eksporteve ka shënuar rritje prej 55 milionë euro, por megjithatë njohës të ekonomisë po konsiderojnë se ky trend ende është i ulët krahasuar me importin e madh që ka vendi.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Ismet Mulaj thekson për KosovaPress se është e vërtetë se ka një rritje të sasisë së produkteve të cilat eksportohen në tregjet ndërkombëtare, por prapë sipas tij është përqindje e ulët.
Njohësi i kësaj fushe, Mulaj ka kërkuar nga Qeveria e re mbështetjen e prodhuesve vendorë me anë të përmirësimit të politikave tregtare, duke subvencionuar kompanitë eksportuese.
“Ende është rrit importi i produkteve shumë më shumë. Arsyeja më e madhe ka qenë arsyeja e konsumit më të madh. Por, është trend i mirë(rritja eksportit), trend të cilin ka qenë dashur të ndikojë shteti i Kosovës përmes politikave adekuate, të cilat do të mbështesnin në mënyrë direkte prodhuesin, i cili ka për synim eksportin. Ka plotë praktika të mira ndërkombëtare, por edhe rajonale ku shtetet, qeveritë e ndryshme përmes politikave të tyre lehtësuese subvencionuese ndihmojnë politikat eksportuese me qëllim që të përmirësohet bilanci tregtar i Kosovës. Ende jemi vendi më konsumues në Evropë dhe do të duhej një strategji ndoshta dhjetë vjeçare që mbështet prej të gjitha partive politike dhe për dhjetë vjet fuqia e shtetit orientohet në ato masa të cilat do të përmirësonin politikat tregtare të Kosovës”, thekson Mulaj.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress se përkundër pandemisë Covid-19 niveli i eksporteve në tre mujorin e parë të këtij viti ka shënuar rritje prej 64 përqind, dhe siç thotë ai bilanci tregtar i Kosovës, pritet të jetë mbi 15 përqind mbulimi i importit me eksport.
Stavileci thotë se eksportet në vitin e kaluar kanë qenë 450 milionë euro, ndërsa presin që ky nivel sivjet të arrin deri në 700 milionë.
“Në tre mujorin e parë të vitit 2020 kanë qenë 87 milionë euro mallra të eksportuara, derisa sivjet kjo shifër është arritur të jetë jashtëzakonisht e kënaqshme, kemi 142 milionë euro të cilat janë eksportuar, derisa rritja në vlerë është 55 milionë euro më shumë mallra të eksportuara në tre mujorin e këtij viti se në tre mujorin e vitit të kaluar… Përkundër pandemisë ne kemi parë që edhe vjet nëse e krahasojë eksportin e këtij viti me vitin e kaluar, është se viti i kaluar ka qenë një vit më i mirë i eksportit të produkteve kosovare. Derisa sivjet ky trend ende është duke u rrit nëse ne kemi 64 përqind më shumë mallra të eksportuara, ne presim që deri në fund të vitit të përmbyllet viti me 600-700 milionë euro mallra të eksportuara”, thekson ai.
Stavileci thotë se mallrat të cilat kanë arrit të gjejnë treg si në tregun Evropian, ashtu edhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë produkte të industrisë ushqimore, të mobileve (përpunimit të drurit) dhe industrive metalike.
Edhe zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) Ilir Berisha thotë për KosovaPress se sa i përket treguesve makroekonomikë, eksportet gjatë vitit të kaluar kanë shënuar rritje 24 përqind, ndërsa importet kanë shënuar një rënie prej 5.7 përqind për shkak të pandemisë.
“Eksportet janar – dhjetor 2020 në krahasim me 2019 kanë pasur një rritje prej 24 përqind, ndërsa te importet ka pasur një rënie prej 5.7 përqind dhe kur e publikojmë si informator makro ekonomik bilancin tregtar dhe gjithashtu përqindjen e evulimit më 2020 është rritë kjo përqindja e mbulimit të importit me eksport me 14 përqind edhe pse mbetet ende e ulët, ndërsa në vitin 2019 ishte 11 përqind. Bilanci tregtar është përmirësuar për 9.4 përqind në krahasim me 2019”, thotë Berisha.
Në anën tjetër, sipas Ismet Mulajt ngritja e cilësisë së produkteve është një proces ashtu siç është sigurimi i tregjeve, por dora e shtetit sipas të cilit në këtë drejtim do të ndihmonte edhe më shumë prodhuesin.
“Tregjet ndërkombëtare kanë ‘etje’ për produkte të reja, për produkte të cilat vijnë prej vendeve që janë në zhvillim, prej vendeve të varfra, për shkak edhe të kostos prodhuese. Por çfarë do të duhej shtetit të bëj? E para të përmirësojnë ambientin e të bërit biznes në Kosovë që prodhuesit në Kosovës të ndihen të stimuluar, të përkrahur, të mbështetur që prodhimet e tyre të jenë konkurruese në raport me prodhuesit në rajon dhe nga bota”, thotë ai.
Mulaj shton se Kosovës i nevojiten marrëveshje preferenciale sikur me SHBA-të dhe me BE-në, edhe me Turqinë e cila nuk është nënshkruar asnjë herë.