Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media ka njoftuar se buxheti i alokuar për Programin farmaceutik të MSh-së dedikuar për furnizim të institucioneve shëndetësore me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale për vitin 2021 është 5,550,000.00 euro, ndërsa ai i vitit 2020 ka qenë 11,476,913.90 euro.
Sipas njoftimit, Lista Esenciale për furnizim të nivelit primar numëron gjithsej 282 artikuj prej të cilëve 206 janë barna, ndërsa 76 material shpenzues.
“Numri momental i kontratave të nënshkruara për barna është 24, apo shprehur në përqindje 11.65 %. Numri momental i kontratave të nënshkruara për material shpenzues është 12, apo shprehur në përqindje 15.79 %. Numri i artikujve që Ministria e Shëndetësisë momentalisht i ka në dispozicion është 109, apo shprehur në përqindje 38.6 %”, thuhet në njoftim.
Siç thuhet në njoftim, qëndrueshmëria e artikujve që MSh ka në dispozicion (109) për shumë artikuj është jo më e madhe se gjashtë muaj (do të shpenzohen brenda kësaj periudhe).
“Bazuar në këto të dhëna, vlerësohet se vijueshmëria e furnizimit të rregullt me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale gjatë këtij viti rrezikohet seriozisht. MSh është duke u angazhuar maksimalisht që ta përmirësojë këtë situatë përmes veprimeve konkrete dhe, pas analizimit të hollësishëm të arsyeve që e kanë krijuar këtë situatë, do të marr hapa konkret, qëtë sigurohet furnizim i qëndrueshëm i institucioneve shëndetësore të nivelit parësor (QKMF-ve) me artikujt e nevojshëm nga Lista Esenciale e Barnave”, thuhet në njoftim.