Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, është pritur sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, ka thënë se si komision ka gatishmëri për çdo lloj bashkëpunimi apo iniciative ekonomike që të bashkërendohen brenda kësaj legjislature me odat ekonomike.
Kryetari i OEK-ut, Rukiqi, ka thënë se është e rëndësishme që të ruhet bashkëpunim dhe komunikimi në mënyrë që të avancohet tutje.
“Bashkëpunimi me parlamentin dhe me këtë komision është i rëndësisë së veçante. Mendoj që na duhet rol proaktiv edhe i joni edhe i komisionit që ta shohim si do të bëhet më mirë. Sepse nuk është e pamundur që nëse shohim që një ligj nuk funksionon të rishikohet. Mendoj që duhet të jetë prioritet tregu i hapur për energjinë elektrike që ta trajtojmë sa më detajisht dhe sa më shpejt që është e mundur. Tani nuk kemi bord të ZRRE-së por e kam parë që qeveria e ka hapur konkursin. Është me rëndësi që të veprojmë që të mos na përsëriten situatat që janë kanë ndodhur në tri vitet e fundit. Në mënyrë, që të gjithë ata që dalin në treg të hapur të jenë të kënaqur me ofertat e kualitetin e energjisë që e marrin”, ka thënë ai.
Kreu i OEK-ut tutje ka shtuar se një pjesë tjetër me rëndësi te pjesa e tregtisë është rregullimi i sektorit të naftës. Sipas tij në disa legjislatura ka dështuar miratimi i ligjit për naftën që rregullon cilësinë, standardin, përpunimin, importin e shumë gjëra të tjera.
“Ne gjithashtu jemi të interesuar me e pa një program të rimëkëmbjes që është i zbatueshëm e që buxhetohet. Ne e kemi sforcu shumë miratimin duke besuar që do të jetë i zbatueshëm por nuk është i zbatueshëm sepse nuk është buxhetu, sepse rimëkëmbjen do ta kemi si temë edhe në të dy vitet e ardhshme”, ka thënë ai.