SBASHK-u kërkon shtesat e marsit dhe rritjen vjetore të pagës falë përvojës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës (SBASHK) i ka shkruar letër publike ministrit të Financave, Hekuran Murati, meqë sipas njoftimit, ai nuk u ka kthyer përgjigje në lidhje me një takim.

SBASHK-u përmes letrës, i ka kërkuar ministrit Murati që në pagat për muajin prill të ekzekutohen edhe shtesat për muajin mars, si dhe të llogaritet rritja nga përvoja vjetore.

Reklama e sponzorizuar

“I nderuari ministër, z. Murati, ashtu siç iu kemi njoftuar edhe në shkresën e dërguar më 1 prill 2021 dhe 14 prill 2021, shtesat për punëtorët arsimor sipas vendimit të Qeverisë nr. 08/65 i datës 18.02.2021 – pika 8 e këtij vendimi, i cili obligon Ministrinë e Financave, Punës e Transfereve (MFPT) për t’i ekzekutuar, por nuk janë realizuar për muajin mars e njëkohësisht kemi kërkuar që me pagat e muajit prill të ekzekutohen shtesat edhe për muajin mars, por nuk kemi marrë përgjigje e as përgjigje në dy kërkesat tona për takim me ju. I nderuar ministër Murati, gjithashtu iu rikujtojmë se prilli është muaji kur bëhet ngritja e përvojës së punës për një vit dhe shpresojmë që në pagat e muajit prill kjo ngritje do të pasqyrohet në listat e pagave”, thuhet në letrën e SBASHK-ut.