Gjatë pandemisë, kompania “Pastrimi” ka rritur kapacitete e saja, duke shtuar numrin e punëtorëve
Në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësja e kësaj kompanie, Arbnore Ademi, tha se janë përballur me infektime të punëtorëve nga virusi Covid-19, duke shtuar se asnjë nga të prekurit nuk ka përfunduar me fatalitet.
“Sigurisht që në front gjithmonë kanë qenë ekipet e kompanisë ‘Pastrimi’, menjëherë pas mantelbardhëve. Punëtorët e kompanisë tonë, ekipet që gjenden në terren sigurisht që kemi pasur raste të evidentuar me Covid-19 dhe vazhdojmë të kemi ende, mirëpo që fatmirësisht deri më tani nuk kemi pasur ndonjë viktimë. Sigurisht që ne kemi respektuar masat dhe rekomandimet e institutit dhe ata punëtorë të cilët janë infektuar sigurisht që kanë shkuar edhe në izolim, po ashtu edhe punëtorët që kanë qenë raste kontakti janë testuar menjëherë duke respektuar të gjitha vendimet, dhe me kalimin e Covidit ata janë kthyer në punë”, tha ajo.
Tutje, Ademi tregon për vështirësitë me të cilat janë përballur punëtorët në terren të kësaj kompanie, duke theksuar se pavarësisht sfidave kanë arritur që të kryejnë përgjegjësitë e tyre në përpikëri.
“Për ekipet që kanë qenë në terren dhe që bëjnë largimin dhe grumbullimin e mbeturinave nga kontejnerët ka qenë shumë e vështirë, sesa ne që punën e kryejmë nga zyrat, për ata ka qenë më e vështirë dhe më të rrezikuar se mos do ta bartin edhe tek familjarët, dhe kjo i ka bërë të fortë punëtorët tonë që në asnjë moment nuk janë ndalur dhe kanë kryer punën. Gjatë kohës së pandemisë kompania jonë ka shtuar kapacitetet e veta, qoftë me ekipe të punëtorëve dhe me staf të punëtorëve, por edhe me kapacitete teknike vetëm që qytetarëve t’u ofrohet një shërbim dhe ambient më të mirë”, theksoi tutje ajo.
Mes tjerash, Ademi tha se punëtorët e kompanisë “Pastrimi” janë të përkushtuar në mbajtjen e një mjedisi sa më të pastër për qytetarët e vendit.