Trazirat ekonomike në Turqi çojnë njerëzit drejt Bitcoinit

Një ndër lagjet më të njohura në Turqi është ajo e Çorumit, për çajin e famshëm. Në një kënd të kësaj lagje, tashmë pronarët kanë lënë traditën dhe janë fokusuar kah e ardhmja: Bëhet vendi i parë në shtet që pranon klientët të paguajnë me kriptovalutën Bitcoin.

“Të gjithë që i njohim në Çorum kanë nisur të investojnë në kriptovaluta. Mendojmë që në pesë vjetët e ardhshme monedha aktuale do të tkurret e do të zëvendësohet nga ato digjitale. Andaj donim të ishim në pozitë të mirë tani”, kanë thënë pronarët e një kafeje, Huseyin Nalci dhe Kerem Kutay Yildirim. “Klientët e moshuar mendojnë se është absurde. Qeshen me ne. Por tani edhe dyqani afër nesh po ua kërkon”.

Lira turke përjetoi rënie dramatike muajin e shkuar pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan shkarkoi guvernatorin e bankës qendrore, Naci Agbal. Tani shteti ka guvernatorin e katërt në më pak se dy vjet dhe lira ka humbur gjysmën e vlerës që nga kriza e 2018-s.

Reklama e sponzorizuar

Inflacioni arriti në vlera maksimale në gjashtë muajt e fundit në mars, me 16.9 për qind, larg mbi 5-përqindëshin si cak. Papunësia është në nivel prej 12.2 për qind.

Trazira e fundit ekonomike ka nxitur tregun që të kalojë drejt kriptovalutave, me investitorët që shpresojnë të përfitojnë nga rritja e valutave digjitale.

Të dhënat nga “Chainalysis” thonë se volumi i tregtisë që nga fillimi i shkurtit e deri më 24 mars ka arritur në 19 miliardë funte, me shpërthimin që pati kur u shkarkua Agbali. E gjithë kjo vlerë është për 7 miliardë lira më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Edhe kërkimet në internet për kriptovalutën në Turqi kanë shënuar shifra rekorde.

Ndërkohë, të martën, Bitcoini ka arritur në gati 62 mijë dollarë.