Trendi aktual i humbjeve llogaritet të jetë rreth 30 milionë euro, bizneset kërkojnë pako të rimëkëmbjes

Vendimi i Qeverisë për mbylljen e bizneseve për dy javë, do të ndikojë në uljen e qarkullimit dhe të konsumit, thonë nga komuniteti i biznesit, madje sipas tyre trendi aktual i humbjeve në Kosovë është rreth 30 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e Coronavirusit, të cila janë në fuqi nga data 7 prill, përfshijnë pezullimin e aktiviteteve në shërbimet e gastronomisë, përveç shërbimeve “merr me vete” dhe atyre me porosi. Po ashtu është e ndaluar veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, në një intervistë për Ekonomia Online tha se mbyllja do të ketë ndikim në uljen e qarkullimit dhe të konsumit, duke shtuar se për të dal nga kjo gjendje duhet të kompensohet dëmet nga Qeveria.

Reklama e sponzorizuar

“Për të dalë nga vështirësia duhet të kompensohet mbyllja. Vitin e kaluar kemi pasur rënie ekonomike 6% dhe kemi qëndruar keq për nga vendet e rajonit dhe ajo ka ndodhur për shkak se patëm krizë politike ku dy qeveri nuk janë funksionale dhe nuk mundën me pas ndikimin në ekonomi sa duhet”.

“Sa do të ketë ndikim varet prej qeverisë sa do të investojë në ekonomi sepse ka rënie të hyrave në buxhet”, shtoi Panxha.