U aprovua financimi komunal për vitin 2022 në mbledhjen e mbajtur të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Komisionit të Granteve.
Në grante bëjnë pjesë edhe ai për arsimin parauniversitar dhe shëndetësinë.
“Murati tregoi se Granti i përgjithshëm është kalkuluar duke marrë për bazë parashikimet nga Tabela 1 e Departamentit të Politikave Ekonomike, Publike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Financiar në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve. Granti i arsimit parauniversitar është kalkuluar duke marrë për bazë propozimin nga MASHTI-i, ndërsa Granti i shëndetësisë dhe politikat e reja janë kalkuluar duke marrë për bazë propozimin nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në komunikatë.
Të hyrat vetanake janë parashikuar duke u bazuar në të dhënat e pranuara nga Departamenti i Tatimit në Pronë për tatimin në tokë dhe prone, si dhe mesatarja e inkasimit të hyrave jo tatimore në tri vitet e fundit, thuhet tutje.
Aprovimi i sotëm i financimit komunal për vitin 2022 nga ana e Komisionit të Granteve do të bëhet pjesë e dokumentit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2022-2024, dokument i cili pritet të aprovohet gjatë kësaj jave në Qeverinë e Kosovës.