Kohë më pare Volkswagen pati prezantuar një tjetër anëtar të familjes elektrike I.D., konceptin I.D. Roomzz, përcjell albinfo.ch.
Së fundi njoftohet se ky koncept do të bëhet në version serik dhe do të mbajë emrin ID.6, si dhe se fillimisht do të shitet vetëm në tregun kinez.
ID.6 serik premierën pritet ta mbajë gjatë këtij muaji në panairin e veturave në Shanghai, transmeton KOHA. Po ashtu, në këtë panair do të prezantohet edhe versioni ID.6 Crozz.
Fjala është për një Crossover i cili do të vijë me platformën MEB të Volkswagenit për vetura elektrike, si dhe me dizajn modern e enterier me tri rende të ulëseve.
Sa i përket motorit, aktualisht përmendet vetëm versioni me një motor elektrik i cili është me kapacitet prej 150 kW/240 kuajfuqi me sistemin e tërheqjes vetëm me rrotat e pasme. Më vonë thuhet se do të jetë në dispozicion edhe versioni me dy motorë elektrikë, i cili është me kapacitet prej 225 kW/306 kuajfuqi dhe vjen me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat. Më herët është thënë se kjo veturë elektrike do të vijë me baterinë litium-jon me kapacitet prej 82 kWh.
Volkswagen ID.6 është i gjatë 4.8 metra, i gjerë 1.8 metra, i lartë 1.7 metra, ndërsa boshtin e rrotave e ka të gjatë 2.9 metra. Po ashtu, ID.6 peshon 2,280 kilogramë.
Ndërsa Volkswagen ID.6 Crozz, për dallim nga ID.6, vjen me disa elemente shtesë për siguri, dritat e përparme dhe mbrojtësin e përparmë më ndryshe, si dhe rrotat e reja nga alumini.
Gjithashtu, ID.6 Crozz është i gjatë 4.9 metra si dhe boshtin e ka me të njëjtën gjatësi sikurse ID.6.