Përkundër pandemisë, 220 biznese të huaja ngritën zyrat e tyre në Zvicër në vitin 2020, transmeton albinfo.ch.
Ndërsa ky numër është 9 për qind më i ulët se në vitin e kaluar, këto kompani kanë krijuar 11 për qind më shumë vende të reja pune – një total prej 1,168 – sesa në vitin 2019. Shumica e vendeve të reja të punës u krijuan nga kompani nga Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania.
Rreth 3,600 pozicione të tjera pritet të ofrohen nga këto ndërmarrje në tre vjetët e ardhshme, sipas të dhënave nga SRF, transmetuesi publik i Zvicrës, përcjell albinfo.ch.
Në fakt, Zvicra është një nga shumë pak vendet që kanë qenë në gjendje të tërheqin kompani ndërkombëtare në brigjet e saj në vitin 2020, një vit shumë i keq për ekonominë globale.
Ekspertët besojnë se kjo është për shkak të pikave të forta të vendit, duke përfshirë kushtet politike, ekonomike dhe financiare.
Ka edhe arsye të tjera që kanë nxitur kompanitë e huaja të vijnë në Zvicër në vitin 2020, pavarësisht pasigurisë ekonomike dhe kufizimeve të udhëtimit.
“Mbrojtja e të drejtave ligjore, lirisë dhe përgjegjësisë personale janë më të forta në Zvicër sesa në shumë vende të tjera, madje edhe në kohë pandemie”, tha bashkë-presidenti i SGE Walter Schönholzer.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret një rikthim 3.5 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB) të Zvicrës më 2021.
FMN shtoi se “përgjigjja e hershme, e fortë dhe e qëndrueshme e shëndetit publik dhe e politikës ekonomike të Zvicrës ka ndihmuar të përmbajë tkurrjen e aktivitetit në krahasim me vendet e tjera evropiane”.