A do të hiqet sot ora policore?

Sheshi
Sheshi "Nëna Terezë" Prishtinë

Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim për heqjen e orës policore në vend, si masë e vendosur për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit. Nga Asociacioni i Komunave po thonë se heqja e orës policore  është kërkesë e  të gjitha komunave në vend.

Edhe pse nga Asociacioni i Komunave është  duke u kërkuar heqja e orës policore, Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim për ta bërë një gjë të tillë. Qytetarëve të Kosovës ende u ndalohet qarkullimi nga ora 22:30 deri në 05:00 të mëngjesit, teksa për AKK-në, ora policore më nuk është e nevojshme për shkak të rënies së rasteve me Covid-19, shkruan Gazeta Express.

Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë për Express, se janë në pritje të një takimi të radhës me Qeverinë dhe MSH-në për të parë nëse kjo kërkesë e tyre do të zbatohet.

Reklama e sponzorizuar

“Ne Asociacioni i Komunave  edhe herën e kaluar kemi kërkuat qe te largohet ora policore. Jemi ne pritje edhe të një takimi të radhës me Qeverinë e Kosovës dhe me Ministrinë e Shëndetësisë për të diskutuar për këtë çështje. Edhe nuk e dimë se kur do ta kemi takimin e radhës”, ka thënë ai për Express.

Ibrahimi poashtu theksoi se takim nuk kanë pasur as për të bërë vlerësimin se sa janë duke u zbatuar masat dhe cili është efekti i tyre.

“Ne jemi koordinuar qe te kemi takime te rregullta dhe të bëjmë vlerësimin se sa janë duke u zbatuar masat dhe cili është efekti i tyre. Prandaj edhe kërkesë e komunave ka qenë largimi i orës policore. Ende nuk ka ndonjë vendim për këtë çështje. Dakordimi ka qenë që kohë pas kohe të mbajmë takime të rregullta dhe të konsultohemi për masat sepse ato zbatohen në nivel lokal”, deklaroi Ibrahimi.

Përveç orës policore, sipas masave në fuqi, ndalohet hyrja në Kosovë për të gjithë qytetarët që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut. Shtetasit e Kosocv3ës që vijnë nga këto shtetet duhet të karantinohet në shtëpitë e tyre për 14 ditë, duke u testuar dy herë në javë.

Në ndërkohë sot nga ora 13:00, Qeveria e Kosovës do të mbaj mbledhjen e radhës.