Pandemia COVID-19 po vazhdon të jetë e pranishme në Kosovë, sikurse në mbarë botën.
Por, kosovarët po tregohen indiferentë ndaj masave anti-COVID të miratuara nga Qeveria.
Kjo vërehet nga numri i lartë i gjobave që po shqiptohen çdo ditë ndaj tyre për mosmbajtje të maskave.
Në një përgjigje për “Zërin”, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se që nga data 26.08.2020 deri më 19.05.2021 janë shqiptuar 198 mijë e 743 gjoba për ata të cilët nuk kanë mbajtur maskën, në kuadër të masave anti-COVID në fuqi.
Sipas vendimit të Qeverisë, personat të cilët nuk mbajnë maskën gjobiten me shumën prej 35 eurosh, shumë kjo e cila në qoftë se paguhet brenda dy javësh, përgjysmohet.
Në një përllogaritje i bie që afër 7 milionë euro, më saktësisht 6,956,005 euro, është vlera e të hollave që shteti ka përfituar nga shqiptimi i këtyre gjobave.
Por, ku përfundojnë këto mjete?
“Mjetet financiare të mbledhura nga masat ndëshkimore derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ministria e Financave.
Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 44 raste pozitive me COVID-19 dhe asnjë rast i vdekjes.
Numri total i rasteve pozitive është 107.313 raste nga 599.859 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.241 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 152 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 101.877 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.195.