Ari e nis javën në rritje- Merr nxitje nga rënia e dollarit, kriptovalutave dhe pritshmëritë për inflacion

Ari

Çmimet e arit janë rritur në ditën e parë tregtare të Javës në nivelin më të lartë në 4 muaj e gjysmë, mbështetur nga dollari i dobët dhe presionet inflacioniste, ndërkohë që dhe rënia e kriptovalutave ka shtuar tërheqjen drejt metalit të çmuar.

Norma spot e arit u rrit me 0.2% në 1,883.12 dollarë për onz, pasi preku nivelin më të lartë që prej datës 8 Janar.  Sipas analistëve, indeksi i dollarit ka qëndruar i dobët dhe sondazhet e manifakturës dhe shërbimeve në SHBA dhe Evropë, kanë shtuar perspektivën e rritjes së inflacionit.

Rënia e fundit e kriptovalutave, ka rritur gjithashtu interesin tek metali i çmuar, si një investim alternativ.

Reklama e sponzorizuar

Sipas analistëve, vrulli është i fortë dhe ari pritet të sfidojë nivelin psikologjik prej 1,900 dollarë në ditët në vijim. Dollari ndodhet në nivelin më të ulët në 3 muaj kundër euros që është rritur ndjeshëm, dhe valutave të tjera evropiane.

Kjo e bën më të lirë metalin e çmuar, që kuptohet në dollar.  Një tregues i ndjesisë pozitive është edhe “SPDR Gold Trust”, fondi i listuar në bursë më i madh në botë që ndjek çmimin e arit. Fondi u rrit me 0.6% në 1,042.9 ton ar.

Bitcoin ra me 13% në 24 orët e fundit, duke humbur 50% nga niveli më i lartë i vitit, pasi Pekini shtoi mbikëqyrjen dhe gjurmimin e prodhimit  dhe tregtimit të kriptovalutës./Scan tv/