Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, ka thënë se Telekomi ka formuar një komision i cili po gjen gabimet e vendosjes së antenave.“Telekomi e ka formuar një komision për t’i gjetur gabimet e vendosjes së antenave dhe një pjesë e tyre janë vendosur vetëm sa për t’i dhënë qira dikujt”, ka thënë ai.Balaj në Interaktiv ka folur për vendosjen e antenave të Telekomit nëpër vende të ndryshme ku nuk është dashur dhe për objektet, qiratë e të cilave janë shumë më të larta se çmimi në treg.Ai ka thënë se ka objekte të panevojshme të cilat as klienti ndonjëherë nuk mund t’i gjejë dhe qiratë të cilat Telekomit nuk i duhen aspak.“Nuk është që nuk kemi pasur nevojë për një pjesë të objekteve ku kemi bë shitje dhe objekte me qira, por nuk kemi pasur nevojë të shkojmë me çmime drastike deri në 50-100 apo 200 për qind ka vende ku janë qiratë me shumë më të larta se në çmimin që është i tregut. E kemi sot një kontratë aktuale që ka skaduar në objektin që është tek Qafa, është kontrata ku punojnë punëtorët, po flitet që duhet të vazhdojë por ne jemi kundër një kontrate të tillë, sepse ka skaduar. Ajo kontratë me atë çmim që ka qenë nuk duhet të vazhdoj sepse duke pa gjendjen financiare të Telekomit, ne ndoshta as shitjen nuk mund ta bëjmë në atë objekt për ta mbuluar qiranë, lë më t’i mbulojmë pagat e punëtorëve. Me sa di, është diku më e lartë diku 200 për qind sa mund ta marrësh në treg më lirë dhe me pozicion më të mirë. Ka shumë qiraja të tilla që neve nuk na janë dashur aspak. Ka pasur objekte që kanë qenë në vende që ka qenë problem që dhe klienti ta gjejë, ato janë të parat që duhet të shkëputen, duke nisur edhe nga antenat që janë vendosur vend e pa vend”.Ai ka treguar edhe për antenat e vendosura në prona të politikanëve.
“Nuk dua të them qind për qind, por 50 për qind e tyre kanë antena apo kanë pasur në objekte në prona të tyre apo familjarëve. Këto na kanë shkaktuar dëmin më të madh. Në Prishtinë, ku është frekuentimi më i madh, ndoshta ka kushtuar 350-400 euro qiraja për vendosje të antenave. E në disa prona ndoshta e ke vendosur antenën e ke paguar 1500-1800 euro qira e nuk ka kryer punë. Komisioni ka gjetur edhe antena fiktive ku është vendosur, është paguar qiraja, por antena nuk funksionon”, ka thënë Balaj.
Balaj: Kontratat e Telekomit, të rrezikshme edhe për sigurinë e shtetit