Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditësh, ndaj të pandehurit V.K., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “kontrabandimi me migrantë”.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit V.K., kavlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
“ Me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare, i pandehuri V.K., ka furnizuar me dokumente të rrejshëm të udhëtimi ose të identifikimit me qëllim të mundësimit të kontrabandimit me migrantë, në atë mënyrë që në vazhdimësi nga fillimi i vitit 2021 e deri në maj të 2021, ka mbledhur nga qytetarët një numër të madh të pasaportave qoftë në Komunën e Suharekës pastaj edhe në Komunën e Rahovecit, për t ‘i pajisur me viza polake, kroate e holandeze duke iu marrë atyre si shpërblim prej 300.oo, 700.oo, 1,000.oo, e deri në 3,500.oo euro”, ka njoftuar gjykata, transmeton Gazeta Express.
“Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi që procedura hetimore është në fazën fillestare, dhe më tutje do të ndërmerren veprime tjera hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti, dhe duhet të merren deklaratat e të dëmtuarve të cilët janë të shumtë në numër, andaj lënia në liri e të pandehurit rrezikon me faktin se i pandehuri mund të asgjësojë apo fsheh edhe ndonjë provë tjetër për të cilën nuk dihet deri më tani nga organet e ndjekjes penale”.