Dogana e Kosovës është zotuar se nafta që hyn në Kosovë ka kualitet të lartë. Megjithatë, zëdhënësi i saj, Adriatik Stavileci, ka thënë se ulja e kualitetit mund të ndodhë vetëm brenda.
Duke folur për kthimin e kompetencës së kontrollimit të karburanteve në Dogana, Stavileci në emisionin “Sot” në KTV ka thënë se dogana ka të ndërtuar laboratorin dhe stafin që punon aty, në kuadër të kontrollimeve që kryente më herët.
Ka thënë se brenda vitit importohen deri 800 milionë litra naftë, ndërsa testimet bëhen duke marrë mostra prej secilës maune.
“S’mund të themi se kemi pasur apo kemi hasur në kualitet të dobët të naftës. Laboratori është i akredituar dhe i ka të gjitha standardet që kërkohen. Matim disa parametra, pikën e djegies, matim emetimet që mund t’i ketë e të tjera. Por në bazë të hetimeve që kemi bërë në aspektin e importit të naftës deri në 99 për qind të rasteve kemi pa se ka mjaft kualitet. Përmbush standardet. Por ajo që kemi hasur është se përzierja apo ulja e kualitetit ndodh në brendi. S’mund të porositet naftë e keqe e nivelit botëror, por ulja e kualitetit bëhet brenda”, ka thënë ai duke shtuar se “këto telashe ka kohë që janë hequr” e se “është shtuar kontrolli”.
Sipas tij, përzierja më e madhe e naftës bëhet me ujë, apo vajra që rrisin sasinë.
Rreth 300 maune me naftë hyjnë për ditë në Kosovë, ka thënë ai.
Stavileci po ashtu ka thënë se në vitin pandemik, në Kosovë ka pasur më pak kontrabandë të mallrave.