Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është shprehur kundër faljes së gjobave bizneseve të prekura nga situata me pandeminë COVID-19.
Ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se një gjë e tillë është bërë normë me Ligjin për Pandeminë COVID-19, të cilin e ka mbështetur edhe vet inicuesi i kësaj kërkese, pra AAK-ja, përcjell Telegrafi.
“Falja e gjobave, qoftë për bizneset dhe qytetarët është bërë në bazë të një ligji të miratuar në fund të vitit të kaluar, që lidhet me menaxhimin e pandemisë, ligj i mbështetur nga partia që tani po propozon faljen e gjobave. E konsiderojmë se nëse përcaktohet me një normë ligjore, sanksionimi i gjobave pastaj falja e tyre me interpelanca, pra shkon jashtë normave të ligjshmërisë dhe është në dekurajim me normat që kanë qenë në përputhshmërinë me ligjin”, tha Kusari-Lila.
Kuvendi i Kosovës ditën e premte pritet të mbajë interpelancën për faljen e borxheve dhe gjobave për bizneset e prekura nga pandemia COVID-19.