Gjiganti korean Hyundai, deklaroi se planifikon të investojë 7.4 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2025, për të prodhuar makina elektrike dhe zgjeruar njësitë e prodhimit atje.
Lajmërimi i Hyundai vjen ndërkohë që administrata e presidentit Joe Biden i ka dhënë prioritet makinave elektrike dhe synon të zëvendësojë 650,000 makinat e flotës federale me makina elektrike të prodhuara në SHBA.
Në Janar, Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv që synon të ashpërsojë rregullat mbi prokurimet qeveritare për të rritur blerjet e produkteve të prodhuara në Amerikë, në përpjekje për të fuqizuar prodhimin e brendshëm dhe të krijojë tregje për teknologjitë e reja.
Analistët thonë se investimi në SHBA i Hyundai synon të përfitojë nga politikat e Biden mbi makinat elektrike, duke marrë subvencione dhe incentiva tatimore. Lajmërimi i Hyundai vjen përpara se presidenti Joe Biden të takohet me homologun korean Moon Jae-in në Washington javën e ardhshme, ku do diskutohet mbi Korenë e Veriut, vaksinat e Covid dhe çështje të tjera.
Biden ka bërë thirrje për 174 miliardë dollarë shpenzime të reja për të nxitur makinat elektrike. Huyndai Motor do nisë prodhimin e makinave elektrike në një njësi amerikane në vitin 2022, ndërsa filiali Kia, planifikon të ndërtojë gjithashtu një fabrikë atje./Scan tv/