Izraeli e njohu shtetin e Kosovës në vitin 2020, e më pas në Juruzalem u hap Ambasada e re, veprim i cili nxiti reagime të shumta. Edhe para njohjes së Kosovës kanë pasur lidhje me këtë shtet nëpërmjet të bërit biznes. Investimet nga Izraeli në Kosovë, shkëmbimet mes këtyre dy shteteve, sipas të dhënave zyrtare, nuk kanë qenë në nivel të lartë, krahasuar me shtetet tjera.
Palestina nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës akoma, dhe Kosova nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me këtë shtet.
Dogana e Kosovës ka shpalosur për lajmi.net të dhënat e shkëmbimit tregtar në mes Kosovës dhe Izraelit.
“Në vitin 2020 prodhuesit nga Kosova kanë shitur mallra në Izrael në vlerë prej 85 mijë e 533 euro. Shitja produkteve të Kosovës në këtë shtet është rritur dukshëm në fillim të këtij viti. Nga 1 janari deri më 30 prill, bizneset nga Kosova kanë shitur mallra në vlerë prej 114 mijë e 878 euro’, thuhet në tabelën e Doganës dërguar lajmi.net.
Po sipas të dhënave të Doganës, më këtë shtet, raporti importit me eksportin është shumë i thellë. Në vitin 2020 bizneset blenë mallra në vlerë prej 22.3 milionë euro. Edhe fillimi i këtij viti tregon për import që është në rrugën e njëjtë, për katër muaj është blerë mall në vlerë prej 5.2 milionë euro.
Raki, e lëkura, eksporti ambicioz i kosovarëve
Ndonëse në masë të vogël, prodhime artizanale dhe të fabrikave shesin tregtarët e Kosovës në Izrael.
Kosova nuk njihet si vend që prodhon shumë alkool, por sivjet është shitur një sasi e alkoolit në Izrael.
Po ashtu, ndërmarrjet prodhuese kanë arritur që të importojnë, ndonëse në sasi jo të madhe edhe lëkurë të pa përpunuar dhe lëkurë të përpunuar. Pastaj eksportohen artikuj tjetër prej lëkurës, samarë dhe takmet për kuaj, të brendshme të kafshëve (përveç zorrëve).
Po ashtu shitet edhe puna e dorës së grave dhe një kod i vençantë i doganës titullohet “Artikujt te veshjes dhe pajisje shtese për rroba, te thurura me shtiza apo te punuara ma grep. Një kod tjetër i exprotit mbanë titullin “Artikuj te tjerë te bere me tekstile; komplet; veshjet e përdorura dhe artikuj tekstile te përdorur; lecka mbeturine”, “Artikuj prej gizës dhe çelikut’, etj.
Çka blihet më së shumti në Izrael?
Gati i gjithë importi ka shkuar vetëm për produktet “Lendet djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e destilimit te tyre; substancat bituminoze; dyllet minerale”. Rreth 20 milionë euro ka qenë importi për këto produkte dhe mbi 4 milionë është në fillim të këtij viti.
Pastaj produktet tjera qe importohen në masë më të madhe janë edhe; “Instrumentet dhe aparatet optike, fotografike, kinematografike, matëse, kontrolli, saktësie, mjekësore ose kirurgjikale”, janë produktet që blihen më së shumti”, “Produkte te ndryshme kimike”. Pastaj vajrat thelbësore dhe rrëshirat; preparatet e parfumerisë, kozmetikes apo te tualetit”, produkte farmaceutike, produkte te naftës, etj
Rreth 1.6 milion euro investime nga Izraeli
Gjatë viteve të fundit, në Kosovë investimet e huaja nga Izraeli, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, kanë qenë rreth 1.6 milion euro. Nga kjo shumë, rreth një milion euro u investuan në sektorin e patundshmërive, kurse pjesa tjetër është investuar në sektorin e tregtisë. Ndërkaq, në vitin 2020, vlera e remitencave nga Izraeli ishte rreth 170 mijë euro.
Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike më 1 shkurt në një ceremoni virtuale, në të cilën ish-ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin, ku thuhej se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.
Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, në Prishtinë është hapur Korporata për Zhvillim dhe Investime Kosovë – Izrael, (KIDIC) qëllimi i së cilës, thuhet të jetë zhvillimi dhe rritja lidhjeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Në faqen zyrtare të kësaj korporate, thuhet se “KIDIC ofron një portë ideale për zhvillimin e biznesit, mundësi dhe bashkëpunim ndërmjet organizatave në Kosovë dhe Izrael”. /Lajmi.net/