Kërkesa globale e naftës parashikohet të rritet 6 për qind këtë vit bazuar në pritjet që fushatat e vaksinimit të vazhdojnë me ritëm të shtuar dhe pandemia kryesisht të vihet nën kontroll, tha sot Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).
Duke u tkurrur me 8.7 milionë fuçi në ditë në vitin 2020, kërkesa globale e naftës vlerësohet të rritet me 5.4 milionë fuçi në ditë në një mesatare prej 96.4 milionë fuçi në ditë, theksoi IEA në raportin e saj mujor të naftës.
Agjencia paralajmëroi se rimëkëmbja e kërkesës globale për naftë mbetet e brishtë pasi rritja e rasteve me COVID në Indi dhe Tajlandë zbehin tendencat e fundit pozitive në Evropë dhe SHBA.
Duke theksuar se konsumi vazhdon të jetë më i ulët se në fund të vitit 2020, EIA tha se rënia reflekton në një masë të madhe modelet sezonale dhe shpërthimet e COVID të regjistruara në Brazil, Indi dhe Evropë, si dhe moti i acartë me akull në shkurt në SHBA kontribuoi në ngadalësimin e rimëkëmbjes së kërkesës globale.
Në 2021, konsumi më i lartë parashikohet të jetë në rajonin e Azisë-Paqësorit me 35.8 milionë fuçi në ditë, e ndjekur nga Amerika Veriore dhe Jugore me 30.2 milionë fuçi dhe Evropa me 13.8 milionë fuçi.