Komisioni për Ekonomi nuk voton bordin e ri të ARKEP-it të nominuar nga Qeveria

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti gjatë shqyrtimit të vendimit të Qeverisë për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare – ARKEP, ka miratuar bordin e nominuar nga Qeveria, por ka kërkuar nga Qeveria të plotësoj dokumentacionin shtesë për kandidatët në mënyrë që kjo çështje të shqyrtohet dhe votohet në mbledhjen e ardhshme të Komisionit.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala tha se ka mungesë të dokumenteve, ashtu siç kërkohet me ligj.

“Ligji është i qartë për këtë çështje dhe konsideroj që kjo listë t’i kthehet qeverisë për plotësim. Ka mungesë të dokumentacionit që kërkohet me ligj. Unë dua më parë dokumentet se këta kandidatët a kanë konflikt interesi. Vetëm dy prej tyre i plotësojnë kriteret”, tha Shala.

Reklama e sponzorizuar

Deputetja Mimoza Kusari Lila nga VV-ja tha se emrat e këtyre kandidatëve janë publik që kur qeveria i ka nominuar.

“Nuk jam që emrat e tyre të kthehen në Qeveri. Propozimi im është të bëjmë një kërkesë për Zyrën e kryeministrit që të plotësohen këto kushte”.

Edhe deputeti nga VV, Driton Hyseni propozoi që kjo çështje të pezullohet deri në plotësimin e kërkesës për dokumentacion brenda javës nga Qeveria për këta kandidatë.

Ndërsa, deputeti Pal Lekaj nga AAK ka kërkuar sqarim se a ka pasur konkurs për anëtarët e Bordit të ARKEP.

“Po këta deputet të VV e kanë kundërshtuar përzgjedhjen e Bordit të ARKEP në të kaluarën pasi nuk ka pasur konkurs…”, tha ai, raporton KP.

Ndërkaq, deputeti Ferat Shala tha se të nominuarit nuk janë zgjedhur me konkurs.

Lista që është miratuar nga kabineti qeveritar ditë më parë për Bordin e ARKEP përbëhet nga: Nazim Rrahimi – kryetar, Lule Ahmedi – anëtare, Shkumbin Hamiti – anëtar, Rrezarta Duraku Rizaj – anëtare, dhe Arijan Qorrolli – anëtar.