Kosova dhe shtetet tjera të rajonit kanë shprehur shpresën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë me përkushtim në synimet për investime në rajon, pas themelimit të zyrës rajonale të Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC) në Beograd vitin e shkuar, si pjesë të marrëveshjes për “normalizim ekonomik” të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në Washington.
E Agjencia federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se është duke punuar me Departamentin e Shtetit dhe Kongresin në strategjinë e përgjithshme të DFC-së edhe nën administratën e presidentit të ri amerikan, Joe Biden.
“DFC është e fokusuar fuqishëm në angazhimin tonë. Ekspertët tanë financiarë në Washington do të vazhdojnë thellimin e bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe partnerët tanë në rajon për të identifikuar mundësitë premtuese të investimeve në Ballkan dhe Egje”, ka thënë shefi operacional i DFC-së, David Marchick, për “VOA” përmes një deklarate me shkrim.
DFC ishte krijuar në kohën e ish-presidentit, Donald Trump, në tetor të 2018-s. Me 60 miliardë dollarë si kapacitet financiar, DFC-ja ka për detyrë lehtësimin e kapitalit dhe aftësive të sektorit privat në zhvillimin e shteteve më pak të zhvilluara. Në themelimin e saj, ajo pati thënë se ka marrë rol të rëndësishëm në ndihmën e avancimit të politikës së jashtme të SHBA-së. Në shtator të 2020-s, DFC-ja hapi zyrën e parë rajonale në Beograd, si pjesë e Marrëveshjes së Washingtonit, që u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia.
Megjithatë, ndryshimi i pushtetit në SHBA në janar bëri që të raportohej se ka pasiguri në Ballkan e Egje për fatin e projekteve që ishin duke u diskutuar, si dhe drejtimin e përkrahjes së qeverisë amerikane për investime në rajon. Këto shqetësime është përpjekur t’i shuajë Marchick. Ai ka thënë se “DFC-ja është e përkushtuar të përkrahë investimet në sektorin privat në Serbi, Kosova, dhe rajonin e gjerë”.
“Jemi të etur që të rinovojmë marrëveshjen e DFC-së për stimulimin e investimeve me Kosovën dhe Serbisë, për të cilën mbesim të përkushtuar dhe vazhdojmë me fokusin e shtuar që nisi vitin e shkuar me themelimin e degës rajonale me bazë jashtë ambasadës së SHBA-së në Beograd”, ka thënë ai.
Duke e quajtur rajonin “prioritet kyç”, Marchick ka thënë se DFC-ja do të vazhdojë të punojë me ambasadat e SHBA-së në rajon dhe sidomos me atë të Beogradit për të punuar me Departamentin e Shtetit dhe Kongresin për strategjinë e përgjithshme të DFC-së.
“Jemi duke ndihmuar në ndihmën në përgjigjen ndaj ndikimit të COVID-19 në Ballkan dhe Egje me fokus në ndërtimin e infrastrukturës kritike për të përkrahur rritjen ekonomike; zgjerimin në qasjen e energjisë së ripërtërishme, teknologji e kujdes shëndetësor; dhe avancimin e përfshirjes financiare, në veçanti për bizneset e vogla dhe udhëheqëset gra të bizneseve”, ka thënë më tej ai.
E në shtetet e rajonit, përfshirë Kosovën, një gjë e tillë mirëpritet. Valdet Sadiku, i ngarkuar me punë në misionin diplomatik të Kosovës në Washington, ka thënë se shteti i tij mezi pret zgjerimin e raporteve me Amerikën “në çfarëdo mënyre të mundshme”.
“Për ne, është prioritet”, ka thënë ai për VOA-n. Dhe edhe pse zgjedhjet kanë sjellë liderë të rinj në Prishtinë që nga zgjedhjet e shkurtit, Sadiku është zotuar se “asgjë s’ka ndryshuar në raportet tona me SHBA-në në përgjithësi dhe DFC-në në veçanti”.
“Ne duam të vlerësojmë punën e John Jovanoviqit (drejtori i parë i zyrës rajonale). Ai ishte i mrekullueshëm dhe ka kontribuar në efikasitet në zyrën e tij”, ka thënë në anën tjetër, ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq. “Do të bëjmë më të mirën që të bëjmë bashkëpunimin tonë edhe më të suksesshëm. Serbia dëshiron të krijojë raporte sa më të fuqishme me SHBA-në dhe duam që të punojmë intensivisht me administratën e re për të promovuar lidhjet ekonomike. Në fakt, i gjithë rajoni unanimisht përkrah punën e DFC-së”.
Me ardhjen e Bidenit në krye të SHBA-së, ndryshimet kishin prekur edhe marrëveshjen ekonomike mes Kosovës e Serbisë, të 4 shtatorit. Kjo ishte parë në ndryshimet e menaxhmentit të Koorporatës Financiare të SHB-së për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC). Kjo Korporatë ka shkarkuar John Jovanoviqin, drejtor i zyrës rajonale për Ballkanin Perëndimor në Beograd.
Kosova dhe Serbia më 4 shtator të 2020-s, në prani të ish-presidentit Donald Trump, kishin arritur një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, e cila ndër të tjera, synim kishte normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Marrëveshja kishte disa pika, një ndër to thoshte se do bëhej “sigurimi i financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”. Mirëpo, këtë marrëveshje nuk e pati përfillur presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, në letrën e tij të parë si president i SHBA-së drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në letër, Bideni nuk e kishte përmendur fare marrëveshjen e 4 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë.